1499 biznese janë kapur në shkelje të legjislacionit tatimor dhe janë gjobitur me një vlerë totale prej 51.9 milionë lekësh. Të dhënat bëhen me dije nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Sipas këtij institucioni, Drejtoria e Hetimit Tatimor po vijon kontrollet në terren në qendrat e qyteteve kryesore në vend, me qëllim uljen e informalitetit, si dhe rritjen e të ardhurave. Dhe përgjatë periudhës 1- 26 nëntor, janë kontrolluar në total 2,928 subjekte.
Sa i takon shkeljeve, konkretisht 19 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).
Gjithashtu janë bllokuar ambientet e 3 tatimpaguesve për shkeljen e mosinstalimit të pajisjes fiskale (hera e dytë).; 73 tatimpagues janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masat e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre si subjekt i TVSH-së.; 508 tatimpagues janë konstatuar me shkelje të moslëshimit të kuponit tatimor (hera e parë). ;69 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 82 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune.; 307 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor; 193 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 176 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i vogël” dhe 17 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh”.
Administrata Tatimore njofton se ka si qëllim kryesor ndërgjegjësimin dhe edukimin e tatimpaguesve për të rritur vetëdeklarimet, si dhe përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore. Ndërsa aksioni do të vijojë me po të njëjtin intensitet edhe gjatë muajit Dhjetor./scan