Fondacioni Kujto.al në bashkëpunim me televizionin News24 do të nisin një bashkëpunim për transmetimin e një cikli dokumentarësh për zbardhjen e episodeve të rënda të diktaturës komuniste. Sonte po transmetohet në News24 për herë të parë dokumentari “Kitarë e burgosur”, i realizuar nga Fondacioni Kujto.al dhe gazetarja Luljeta Progni.
Dokumentari i parë do të flasë për një histori të rrallë e të panjohur më parë për publikun shqiptar me protagonist Gëzim Çelën. Ai ka qenë një prej pjesëmarrësve në revoltën e burgut të Spaçit para 45 vitesh dhe rrëfen historinë bashkë me kitarën që qëndroi në burg me të 21 vjet, dhurata e çmuar nga këngëtarja e famshme, Vaçe Zela.
Në News 24 do të shfaqen në muajt në vijim edhe dokumentarë të tjerë tematikë me histori njerëzore dhe dokumentare të panjohura për publikun shqiptar me qëllim zbardhjen e krimeve të diktaturës komuniste.
I themeluar një vit më parë, Fondacioni Kujto.al u ideua dhe u krijua nga deputeti dhe biznesmeni Agron Shehaj me qëllimin e krijimit të një hapësire të për të zbuluar të kaluarën e dhimbshme të shqiptarëve që flitet shumë pak. Fondacioni Kujto.al ka sot mbi 50 mijë profile të viktimave të komunizmit në një arkive të vetme online në Shqipëri dhe qindra artikuj tematikë që hedhin dritë për krimet e diktaturës. /BalkanWeb/