Studentët kanë reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili theksoi se kërkon të dialogojë me ta për tejkalimin e ngërçit të krijuar nga mungesa e komunikimit.
Protestuesit para godinës së ministrisë së Arsimit janë shprehur të vendosur duke kërkuar më parë plotësimin e 8 kërkesave. Studentët theksuan se nuk kërkojnë të rrëzojnë ministra apo qeveri, por thjesht disa të drejta minimale ashtu siç janë në vende e tjera të Europës.
“Dua të them që kryeministri kërkon dialog dhe negociata. Ne po kërkojmë të drejtat tona. Kërkojmë plotësimin e kushteve. Ai normalisht kërkon dialog. Ne nuk jemi kundër me propozimet që ai tha. Nuk jemi sot për teknikalitet. Duhet të plotësohen të 8 kërkesat, pastaj ulemi rrugës dhe i diskutojmë. Janë të pangeciueshme. Ne nuk pranojmë të negociojmë në asnjë mënyrë. Nuk duam të marrim premtime të rreme. Sot është pika ku kupa ka nisur të derdhet. Ata nuk deshën dialog kur vendosën tarifat”, thanë ata.
Një tjetër u shpreh si më poshtë: “Ne nuk kërkojmë largimin e ministrave dhe kryeministrave, por kushtet tona. Le ta rregullojnë ligji që studentët të kenë mundësi të ngrenë zërin. Deri nesër kemi dhënë ultimatum, pastaj do ta përshkallëzojnë. Nuk duam që studentët të plagosen dhe të gjakosen. Do futemi Në grevë urie. Edhe e marta do të jetë protestë paqësore, të mërkurën në grevë”, shtoi ai.