Në një skutë të errët përballë Kryeministrisë, ishin të mbështjellë me kapuça dy deputetë të opozitës bashkë tre shoqërues. Në atë orë të vonë të natës, pak metra larg tyre, kishin mbetur vetëm një grup shumë i ngushtë djemsh dhe vajzash protestues.
Aktivistja Anxhela Cikopano po shpërndante çaj të ngrohtë, ndërsa ata, të mbështjellë me batanije këndonin dhe hidhnin parulla. Iu afrova një grupi prej tre vetash dhe kërkova të mesoj diçka mbi protestën. Kishte entuziazëm në ta. Entuziazëm, por jo ide.
Ndërsa i pyeta për grupimet e shfaqura, u hodhën përpjetë dhe nisën t’i marrin fjalën njëri- tjetrit nga goja. Argumenti ishte OP dhe Arlind Qorri.
“Ata janë marksistë, janë njerëzit e Ramës dhe duan të na minojnë. Një vajzë të Fressh-it e zbuluam sot dhe e larguam. Nuk do t’i lejojmë të na e marrin lëvizjen studentore e t’a përdorin për interes të Ramës“.
“Mirë“ – i them. – “Ata mund të jenë marksistë dhe kanë idhull Qemal Stafën dhe Chè Guevarën, por protestave i’a q..r.. ama. Kanë super organizim dhe ide që ju s’i patët asnjëherë në këto vite. Pastaj, nëse unë shoh këta të Arlindit që ju i etiketoni si të shitur, pse mos mendoj se ju jeni të FRPD- së dhe shkëmbeni mesazhe me ata deputetët atje te qoshja“?
“Nëse ata thonë jo politike, atëherë po kërkojnë të shuajnë gjithçka. Të thuash jo politikë në këto ditë është si ti ruash b*thën Ramës“.
“Po sikur atë “Jo politikë“, t’a kenë për forumet e partive që sillen si çakenj rrotull protestës? Kjo është shumë më e dëmshme për ju, sesa Arlind Qorri“.
“Or shok, lidera nuk kanë shans me n’a u ba ata në protesten tonë. Kjo asht kryesorja“ – ma kthen me një ton që nuk lë vend për diskutim.
Vazhdova rrugën drejt sheshit “Skënderbej” dhe nga aty në “Rrugën e Durrësit”. Atje mund të ishin diku te 150 studentë. E njëjta skenë e entuziazmit dhe thirrjeve e këngëve. Kartonat me slloganet dhe batutat ironike në shqip dhe anglisht, kishin mbushur kangjellat e Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që qindra shenja të verdha vezësh ishin stampuar në mur e xhama dritaresh.
Pyeta sërish një grup. Desha të di nëse kjo fryma antiQorri ishte tek të gjithë.
“Nesë është dikush që ka bërë të mundur këtë, është “Lëvizja për Universitetin”. Kjo nuk është koha për dekorata e merita, por tendenca e dhunshme për t’i larguar ata, nuk diskutohet që është e gabuar, madje edhe e kundërshtuar nga ne“.
Është një student që mundohet të jetë i detajuar në çdo fjali që hedh. Ndoshta prania e Giulia-s, koleges time italiane aty, e bën të zgjedhë fjalët dhe njëkohësisht të tregohet shumë energjik. E pyes për forumet rinore dhe impaktin që ata kane. “Prit“ – me thotë, dhe nxjerr menjëherë celularin. Një orë më përpara kishte përfunduar “Top Show” në të cilin kryeministri, “debatonte“ me studentet.
“Shiko këtu: Kjo vajza, e Fressh- it. Kjo tjetra, gjithashtu. Shiko fotot nëper fushata dhe takime. Shiko kjo tjetra që përqafon Lalin”. Me demonstron rreth 15 foto në pak sekonda. Të gjithë studentë të “debatit“ me Ramën.
Kërkoj të kuptoj diçka për impaktin në protestë të LRI- së dhe FRPD- së, aq shumë të përfolura këto ditë. I them se cila do ishte idealja për ju, plotësimi i kërkesave 100% dhe kthimi në auditore, apo përsëritja e “Dhjetorit 1990”, dhe rrëzimi i qeverisë. E pyes nëse kjo protestë do të kthehet në politikë të mirëfilltë.
Shoh hezitim dhe papërgatitje për t‘iu pergjigjur këtyre dilemave.
“Forumet partiake duhet të rrijnë larg protestës por ne nuk kemi sesi të pengojmë studentët që aderojnë në ta. Nëse ata do të na sjellin liderat e tyre apo do të na diktojnë axhenda të ndryshme dhe të pista, atëherë do ti përzëmë. Ajo që kemi në dorë, është të mos rreshtim t’i demaskojmë me foto. Sa për ndryshimin e objektivave, nuk kemi vendosur ende asnjë gjë. Jemi këtu dhe kjo ka rëndësi“.
Kur pyes nëse ka një lider që mund t’a takoj, ai më sheh me sy plot dyshim dhe përgjigjet shkurt: “Këtu nuk kemi lider“.
“Pikërisht, kjo është çeshtja“ – i them. – “Ky është problem i madh. Mungesa e një përfaqesie dhe e liderëve. Kjo sjell pastaj, njëherë përzënien e Tupes, e me pas edhe grushtet ndaj profesorit tjetër. Kjo sjell edhe listat paralele me kërkesa dhe në fund, përçarjen dhe mbytjen e zërit tuaj, ashtu siç duan shumë këtej rrotull“.
Përshendetemi dhe në ikje i ngre grushtin lart. I pelqeu provokimi. Ma ktheu menjëherë. Qesha me vete dhe vijuam rrugen drejt qendrës bashkë me Giulia-n, ndërsa të rinjtë këndonin “Xhamadanin“.
“Ky grupi këtu më mire të këndojnë “Bella Ciao“” – i them mikes time, teksa nisa të dridhem nga i ftohti i natës së Tiranës.
“Perchè“?
“No, no. Niente“.
Ora po shkonte drejt 01.00.
Tirane, 11 Dhetor 2018. /Nga Taulant KOPLIKU, gazetar i programit investigativ “Le Iene” në Italia 1/