E kishim paralajmëruar para 3 muajve dhe ndodhi para pak orëve. Mjeku Luan Dragusha u largua nga Spitali Rajonal i Shkodrës. Një mjek i talentuar, i cili u vu padrejtësisht në syrin e ciklonit. Jo vetëm kaq, por Dragusha provoi atë qnuk e kishte imagjinuar asnjëherë në jetën e tij. Pasi erdhi të kontribuojë me dijet e tij në vendlindje, mjeku Dragusha provoi në duart e tij prangat. Provoi edhe disa ditë qelinë e paraburgimit. Pasi u lirua, siç ishte e natyrshme, si i pafajshëm, ai vazhdoi edhe për pak kohë punën në Sptalin Rajonal të Shkodrës. Por vetëm deri para pak orëve. Para dy ditëve, e pashë tek shëtiste në Piacë me një mik të vetin. Thjeshtë u përshendetëm. Mesa duket po shijonte orët e fundit në Shkodër, për të marrë rrugën drejt Amerikës. Rrugë të mbarë drejt Amerikës dr. Luan Dragusha, ky vend nuk ka nevojë për ty… Kështu e uruam para tre muajve, në një shkrim revolte për atë që i serviri sistemi i kalbur i këtij vendi. Të priftë e mbara Doktor Luani!
Shkrimi i publikuar nga ShkodraWeb para tre muajve
Ndodhi ajo që ne si ShkodraWeb kishim parashikuar sapo u mor vesh arrestimi i 11 ish- drejtuesve dhe mjekëve të Spitalit Rajonal të Shkodrës me akuzën e shpërdorimit të detyrës: Gjykata i la të lirë që të gjithë! Disa prej tyre, pasi paguan garanci bankare nga 200 mije deri në 500 mijë lekë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me një nxitim të habitshëm të prokurorisë për të vënë pranga në duar mjekësh, edhe pse edhe në raste të tjera kishte dalë bllof. Vetëm për një arsye të thjeshtë: Arrestime të tilla, kur nuk bohen në kushtet e flagrancës, kanë nevojë për ekspertizë të thellë tekniko- profesionale.
Sigurisht, gjykimi do të vazhdojë, por të 11 të arrestuarit do të flejnë e ngrihen në shtëpitë e tyre në Shkodër dhe në fund do të marrin “hakun”, shpresojmë të drejtë, nga gjykatat shqiptare. Në fakt, u vertetua një parashikim i parë i ShkodraWeb në një shkrim të vetëm tre ditëve më parë ku pohuam se sapo të dalin para gjykatës, mjekët do të lihen të lirë. Bazuar në informacionet e marra nga mjekë por edhe burime të tjera, kemi bërë edhe parashikime të tjera, por me durim do të presim “të përgenjshtrohemi” me kalimin e ditëve, javëve, muajve.
“Personazhi” kryesor i gjithë kësaj historie, është Luan Dragusha. Madje, në një farë mënyre ai është edhe “fajtori” që u arrestua ai vetë dhe kolegët e tij. Edhe këtu për një arsye të thjeshtë: Ishte i suksesshëm më shumë nga sa parashikohej në punën e tij, duke u shkaktuar dëme jo të vogla kolegëve në Tiranë, sidomos atyre në spitalet private! Lehtësoi barrën e shpenzimeve për mijëra familje që ekzaminimet e zemrës, i bënin “dy hapa” larg shtëpisë. Dhe çfarë është mëe e rëndësishmja, ishte i suksesshëm 100% në të gjitha ndërhyrjet e tij në Laboratorin e Hemodinamikës në Shkodër. Pavarësisht të gjithave sa më sipër, Dragusha dhe asnjë nga kolegët e tij, nuk mund ti konsiderojmë si engjëj. Që të vegjël kemi mësuar se ata jetojnë në qiell e kjo toka jonë, tani për tani është vend i papërshtatshëm për të mbajtur krijesa njerëzore “kandidatë” për qiellin.
LEXONI EDHE: E verteta e arrestimeve të mjekëve në Shkodër, kolegët e dinë por nuk e thonë dot…
Kemi bërë si ShkodraWeb një tjetër parashikim, i dëmshëm besojmë, për Shkodrën. Pasi të mbyllë “hesapet” me drejtësinë, Luan Dragusha do të niset drejt Amerikës, ku e pret ushtrimi i një profesioni për të cilin është licensuar. E braktisi në fakt për 100.000 lekë në muaj përveç rrogës si bonus nga qeveria shqiptare, e cila Dragushën e promovoi si shembull suksesi. Parashikoj të jetë e vështirë që Dragusha të kapë bisturi me dorë në Hemodinamikën e Shkodrës. Edhe nëse do ti lutej vetë kryeministri Rama, i cili nuk ngurroi para dy viteve të pozonte pafund me të dhe ti publikonte fotot kudo ku kishte hapësira në dispozicion. Urojmë me shpirt që Luan Dragusha të mos marrë avionin e parë drejt SHBA, as të dytin, as të tretin…askurrë. Një “zhvendosje” në Tiranë do të ishte dëmi më i vogël që do ti bënte Shkodrës ky djalë.
Luan Dragusha u arrestua si një kriminel i rëndomtë, edhe pse sot gjykata e la të lirë pa asnjë kufizim. Kush duhet të pagujë për dëmin moral e psikologjik që iu shkaktua? Emri i Luan Dragushës sot, në të gjithë hapësirën e internetit rezulton si i arrestuar për shpërdorim detyre, madje me një shifër 55 milion lekë të reja, në grup bashkë me disa të tjerë. Kush mund t’ia pastrojë emrin e akuzat e pabaza ndaj tij nga hapësira e pamatë e internetit, ku është i destinuar çdokush që mbetet për vite të tëra?
Luan Dragusha nuk është hero. Nuk ka asnjë shans të jetë hero. Në vendin e tij jo njëherë! Ishte një person, që mbase i frymëzuar më shumë nga sa duhet, vendosi të rikthehet për të ushtruar zanatin e tij në Shqipëri. Ne i dhamë një bonus më pak se 1 mijë dollarë në muaj por edhe një shpërblim të madh publik për të gjithë punën e tij: Prangat në duar dhe diçka më shumë se dy ditë paraburgim! Edhe po të ikë ky mjek, nuk është fundi i botës. Se mos të gjithë shkodranët vuajnë nga zemra, se mos të gjithë shkodranët nuk kanë mundësi të paguajnë nga 400 mijë të vjetra (në QSUT, me mik) deri në 3 mijë euro në spitalet (private) e Tiranës për ndëyrhyrje në zemër. Punë e madhe fort! Një emigrant shqiptar më shumë nga ata miliona që ikin nga ky vend dhe në shumicën e rasteve, u del më mirë… E habitemi si krapi kur shohim se shqiptarët e edukuar, arsimuar jashtë, refuzojnë të kthehen apo kur mijëra infermierë aplikojnë me shpresë për një vend puneë në Gjermani apo gjetkë!
Ne nuk e dimë vendimin tënd përfundimtar Luan Dragusha! Por paraprakisht po të urojmë me shpirt rrugë të mbarë drejt Amerikës, sepse ky vend nuk ka nevojë për ty… E tregoi me prangat që të vendosi në pulse, qoftë edhe për vetëm disa minuta apo orë. /Shënim i ShkodraWeb/