Lulzim Basha ka mbajtur sot një fjalë të gjatë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Siç ishte e pritshme, ai ka folur në emër të gjithëpërfshirjes, hapjes së dyerve të PD-së, qarkullimit të elitave. Me përjashtim të mospërfshirjes së ish- të persekutuarëve, fjalimi i Bashës ishte ai i një lideri poltik me vizion të qartë. Paralajmëroi edhe “fillimin e numërimit mbrapsht” për qeverisjen e Edi Ramës, ndërsa nuk ngurroi të përfshijë në listën e kandidatëve për antarë të Këshillit Kombëtar edhe të kritikëve të tij më të ashpër pas humbjes së zgjedhjeve të 2017-ës.
Por vetëm kaq. Sinjali që i dha Basha demokratëve sot është ai i pritjes. Pritjes që koha të bëjë efektin e vet. Në kuptimin më të thjeshtë, që Edi Rama të mbarojë ditët e qeverisjes së mandatit që mori në 2017- ën. Sot demokratët prisnin më shumë ashpërsi nga Basha, veçanërisht pas “shuplakave” apo “grushteve” qe Rama ka marrë nga protestat e pandërprera, sidomos nga ajo e studentëve. Por për studentët, oferta e vetme ishte: Po ju bëjmë gati rrugën që ju të bëheni pjesë e PD-së. Lideri demokrat nuk përmendi në asnjë çast ndonjë program- projekt për protesta, meqenëse edhe kryeministri duket si “i vënë në cep të ringut” politik dhe mbase edhe një “e shtyrë” e rrëzon. Basha iu rikthye “primareve” brenda partisë për të zgjedhur kandidatët për deputetë (për vitin 2021), për kryetar bashkie (pas 6 muajve) dhe çdo pozicion tjetër publik.
Ideja mund të jetë shumë e mirë. Natyrisht jo shpikje, por siç tha Basha, nën shembullin e konservatorëve britanikë dhe CDU-së gjermane që asistojnë PD-në. Por në mes ka një hendek mjaft të madh, i cili lidhet së pasi me ndryshimin mes mentaliteteve e së dyti, me diferencat e thella ekonomike në mes një demokrati në Shqipëri e një konservatori në Angli. Në subjektet politike shqiptare, çdo garë zgjedhore më shumë përçan se bashkon nën liderin e ri. Qejfmbetjet, kritikat madje edhe largimet, i ka provuar edhe Basha që nga ardhja në krye të PD-së e sidomos, pas rizgjedhjes në 2017- ën. Shqiptarët, edhe për shumë vite të mira, do ti shohin partitë si katapultë punësimi apo ruajtjes së vendit të punës. Kjo, sepse “shteti” vazhdon të shihet si një konkurrent shumë i fortë përballë privatit, i cili për hir të realitetit, jep shumë më pak garanci se “shteti”.
Sot situata është e qetë. Ka vetëm 3-4 deklarime ne media për kandidime, moskandidime, rikthime e përjashtime. Sepse po votohet. Ka 352 emra që presin të numërohen votat. E sigurtë, kur të dalin fituesit, do të ketë pakënaqësi, do të shprehen publikisht dhe do të shënjështrohet…Basha. Edhe pse i futi në lista kritikët e tij, nëse këta nuk fitojnë, do ta akuzojnë se i përdori “mish për top”, “për ti dhënë fasadë gjithëpërfshirje PD-së”, “PD nuk ndryshon, nuk do ngrihet kurrë”, e madje do të kërkojnë edhe “çlirimin e PD-së nga Basha”. Sepse kështu ka ndodhur dhe e sotmja nuk ka pse të bëjë përjashtim nga rregulli.
Nga 2013-a Basha po ecën në një shteg të ngushtë. Jo rradhë herë ka vepruar edhe kundër bindjes së tij. Rasti më ekselent marrëveshja me Ramën para 2017-ës. Gjatë viteve të opozitës, PD është identifikuar si parti e protestës, e sheshit, e përballjes frontale. Kjo ka karikuar njerëzit dhe e ktheu Berishën në liderin karizmatik që vazhdon të jetë edhe sot brenda PD-së. Sepse Basha mund të jetë përrendimor, por jo karizmatik. Nuk është partizan i sheshit, por as edhe i debatit në parlament. Edhe pas 5 vjetëve në krye të PD-së, ai akoma nuk ka treguar se është i prerë, i vendosur dhe lider…shqiptar. Ashtu siç e kërkon realiteti ynë sepse “si është vendi, bëhet Kuvendi”. Që në ditën e parë në PD, Basha zgjodhi të mos ndjekë modelin “Berisha”, modelin e partive konservatore me lider të fortë e të gjithëpushtetshëm. E ditë pas dite, piaca që i la në dispozicion Berisha, nisi të ngushtohej, të mbushej me pengesa. E ajo që mbase sot të gjithë arrijnë ta kuptojnë lehtë, edhe pa e njohur nga afër është se Basha nuk është lideri i fortë, por as edhe vendimmarrës kolegjial. Nuk është as Berishë, as Edi Ramë, as edhe kombinim i të dyve. Ai është akoma në fazën e akumulimit të eksperiencës në lidership por edhe kristalizimit të këtij lidershipi. Efekti kohë duhet të bëjë punën e vet. Sidomos në dyzimin e kulturës përendimore- europiane që Basha ka marrë gjatë edukimit të tij me realitetin e antarësisë në PD por edhe shqiptarëve në përgjithësi. Për të kuptuar përparimin e rradhës, duhet pritur takimi i ardhshëm, ai i 2021-it. Bashkë me Bashën, duhet të presin edhe demokratët… /Nga Sokol N. Sokoli/