Studentët nuk tërhiqen nga protesta e tyre deri në plotësimin e 8 pikave të vendosura prej ditësh si kusht për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Ndonëse herë në numër të madh e herë më pak, studentët prej rreth dy javësh vazhdojnë me këmbëngulje protestat e tyre para dritares së kryeministrit Edi Rama.
Deri tani nuk ka pasur një përgjigje pozitive për dialog ndaj kryeministrit, megjithëse ai ka zhvilluar dy takime me studentë e pedagogë në dy fakultete.
Nesër studentët kanë paralajmëruar sërish bojkotim të mësimit dhe nisjen e protestës në orën 10:00 tek korpusi universitar.
“Kauza në dorën e studentëve! Arsim cilësor, bashkëkohor, fuqizues, për të gjithë dhe politika arsimore transparente dhe llogaridhënëse. Nesër, datë 19 dhjetor, studentët bojkotojnë mësimin dhe takohemi të gjithë tek korpusi universitar në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e studentëve.
Studentet Njoftimi
Kryeministri ka rënë dakord për plotësimin e kërkesave të tyre, duke premtuar edhe më shumë por studentët nuk janë të bindur dhe nuk duan të negociojnë tek kërkesat e tyre elementare.
Ndërkohë që sot shefi i ekzekutivit tha se studentët do të paguajnë në janar gjysmën e tarifës së përcaktuar duke plotësuar kështu edhe realisht një nga kërkesat.
Sot Rama ishte i pranishëm në Universitetin Bujqësor të Tiranës për të dialoguar me studentët lidhur me 8 kërkesat që ata kanë shtruar, ndërsa mbrëmjen e kaluar ishte në Fakultetin e Gjeologji Minierave.