Tashmë me politikat e reja, Facebook ka bërë publike vendodhjen e personave që postojnë dhe administrojnë faqet e ndryshme, duke nisur nga politikanët, zyrtarët, bizneset apo çdo faqe tjetër e cila është rregjistruar në rrjetin social si faqe publike.
Me opsionin e ri ‘Info and Ads’ Facebook tregon nje informacion të shkurtër rreth faqes si psh kur është krijuar, nëse është ndryshuar që nga momenti i krijimit dhe numrin e personave që e administrojnë atë.
Është bërë një vëzhgim në faqet e politikanëve shqiptarë ku vërehet numri i lartë i personave që administrojnë faqet e tyre, madje përveç nga Shqipëria këto faqe administrohen dhe nga persona jashtë vendit, kryesisht në Amerikë.
Nisur nga kryeministri Edi Rama, faqja e tij zyrtare në Facebook është krijuar më 22 shtator 2009 dhe prej nga ajo ditë nuk ka ndryshuar, ndërkohë që menaxhohet nga 21 persona në Shqipëri dhe 1 person në Rumani.
Ndërsa faqa e kryedemokratit Lulzim Basha është krijuar më 22 shkurt 2011 dhe ka ndryshuar emrin fillestar, nga Lulzim Basha- Faqa Zyrtare në emrin aktual Lulzim Basha si dhe administrohet nga 12 persona, të gjithë me vendndodhje në Shqipëri.
Më tej, faqa e kryetares së LSI Monika Kryemadhi, është krijuar më 11 janar 2013 dhe që prej atëherë nuk ka ndryshuar, ndërkohë që menaxhohet nga 10 persona, 7 me vendndodhje në Shqipëri dhe 3 në Amerikë, si më poshtë.
Faqa e ish-kryeministrit Sali Berisha, është krijuar më 5 dhjetor 2012, nuk ka pësuar asnjë ndryshim prej fillimit dhe administrohet nga 6 persona, 4 me vendodhje në Shqipëri dhe 2 në Amerikë.
Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili shpesh akuzohet se ka punësuar një numër të madh personash për të administruar faqen, në fakt profili i tij menaxhohet vetëm nga 6 persona, të gjithë këta me vendndodhje në Shqipëri.
Gjithashtu është vëzhguar dhe në faqen e Presidentit Ilir Meta, e cila është krijuar më 24 korrik 2017 dhe që prej atëherë nuk ka pësuar ndryshime, ndërkohë që administrohet nga 4 persona, 3 në Shqipëri dhe 1 në Kosovë. /Burimi:NewsBomb.al/