Para disa muajve, persona të pautorizuar, në mënyrë të paligjshme dhe ilegale, kanë vendosur një kryq rreth 2 metër të lartë në majën e njërës prej kodrave në vendin e quajtur Lodërtune, mbi fshatin Rragam të Gurit të Zi. Kryqi është vendosur, sipas informacioneve paraprake, në muajin tetor por ekzistenca e tij është konstatuar vetëm tani. Kjo për arsye të izolimit të vendit ku është vendosur kryqi, e cila është një zonë totalisht e pabanuar.
Sapo është marrë informacioni, efektivët e Antiterrorit në Policinë e Shkodrës, kanë nisur punën për identifikimin e saktë të vendndodhjes dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Banorë të zonës që flasin për ShkjodraWeb, bëjnë me dije se nuk kanë konstatuar asgjë deri në momentin që fotot janë publikuar. Madje, ata habiten se si një kryq me një peshë të konsiderueshme është ngjitur deri në majë të kodrës ku nuk mund të arrijë asnjë mjet. Ata shtojnë se para disa viteve, në zonën ku është vendosur kryqi, toka është shfrytëzuar vetëm për mbjellje bimësh narkotike.
Po ashtu, policia po punon për identifikimin edhe të personave që shfaqen në foto për të mësuar më shumë lidhur me vendosjen e kryqit, i cili është vendosur në mënyrë të paligjshme, duke shkelur të gjitha ligjet shqiptare. Në krye të grupit që ka vendosur kryqin, sipas infoemacioneve akoma të pakonfirmuara- për të shënjuar një vend ku kanë rënë ushtarë malazezë, kanë qenë klerikë malazez. Pas marrjes së informacioneve të duhura, pritet që policia e Shkodrës të kryejë të gjitha veprimet e duhura ligjore për këtë ndërtim të paligjshëm në territor shqiptar.