Studentët njoftuan zyrtarisht pezullimin e protestës së tyre. Ashtu si e nisën pa pyetur askënd, por ashtu vendosën ta “fashitin” zjarrin që ndezën për ti kujtuar shqiptarëve se protestat në këtë vend nuk mund të jenë vetëm politike. Pezullimi i protestës përkoi me ditën e fundit të mësimit në universitet, 21 dhjetorin. Dita përkoi edhe me seancën e fundit plenare të Kuvendit, i cili pas rreth 3-4 javëve, do të rinisë aktivitetin. Studentët e kanë lënë takimin e tyre me 7 janar 2019, por gjithsesi shpresojnë ti kthehen auditoreve nëse qeveria gjatë kësaj periudhe, do të plotësojë 8-9 kërkesat e tyre. Njoftimi i Këshillave Studentorë, përveç urimit për festat e fundvitit, kujton në rreshtin e fundit se shoqëria shqiptare është “shoqëri në agoni”. Përcaktimi është i guximshëm, pasi vetë studentët thonë se me lëvizjen e tyre, ngjallën shpresën dhe shtuan guximin.
Nuk besojmë se studentët mund të marrin mend nga unë apo askush tjetër, por a duhej të pezullohej protesta për shkak të pushimeve të fundvitit?
Mendojmë se nuk duhej mbyllur dhe do të përpiqem të jap disa arsye.
Së pari, kjo protestë forcën e saj e kishte tek imazhi. Një grup studentësh- nuk ka aspak rëndësi numri, refuzuan dialogun me politikëbërësit. As më pak e as më shumë por me kryeministrin dhe liderin e opozitës. Për herë të parë, në media dëgjuam shqiptarë që kanë guxim t’i thonë përballë shefit të qeverisë atë që mendojnë, deri në “mashtrues”. Natyrisht, shqiptarë janëe dhe deputetët e politikanët, por fjala e tyre nuk ka asnjëherë peshën e asaj të studentëve.
Së dyti, studentët sfiduan çdo gjë, agjentët atmosferikë- shi dhe të ftohtë ektrem, duke qëndruar para ministrisë e më pas para kryeministrisë. Madje, pa ngritur as çadra, duke pritur që ti sjellin ushqim e batanije qytetarët e thjeshtë e duke u ngrohur me dërrasa që digjen brenda një fuqie.
Së treti, studentët arritën të mbajnë larg joshjen nga politika, sidomos pushtetmbajtësit. Edhe “dialogjet” e kryeministrit në auditore apo studio televizive, nuk e përkulën idenë se studentët nuk pranojnë dialog por kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.
Së katërti, studentët provuan të gjitha mënyrat demokratike, në një protestë ekzemplare që nuk theu asnjë xham. Madje, edhe pastronin sheshin pas përfundimit të protestës së rradhës. E vetmja “armë” që u kishte mbetur, ishte greva e urisë. Disa studentë e artikuluan, por mesa duket nuk ishin gati për këtë veprim ekstrem ose nuk kishte konsesus e mbështetje të gjërë për idenë.
Protesta mund dhe duhej të mbahej gjallë. Ashtu siç disa të rinjë qëndronin gjithë natën para kryeministrisë, mund të vazhdohej edhe me 31 dhjetor, edhe me 1 janar e në vijim. Edhe vetëm 10 studentë të qëndronin, “zjarri” nuk do shuhej. Studentë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Gjirokastra, mund ta merrnin përsipër sakrificën edhe me rradhë.
Edi Rama sot “këndon” fitore. Madje fitore dyfishe: Rrëzoi me vota opozitën në Kuvend dhe pezulloi protestën e studentëve para selisë së qeverisë së tij. Opozita në një vend është pushteti moral dhe studentët u përpoqën jo vetëm të jenë alternativë, por ti nxjerrin bashkë me qeverinë “jashtë ligjit”.
Nuk e dimë nëse Rama do ti plotësojë kërkesat e studentëve. Nuk e dimë as nëse studentët do ti kthehen protestës siç e kishin deri më sot. Por besojmë se edhe nëse do të ndodhë, nuk do të jetë kurrë si deri mës sot. Pa dashje ndoshta, studentët u futën në linjën e njohur të pavendosmërisë së kauzës, e cila jo rradhë është “sëmundje” nga e cila vuan edhe opozita. Në fakt, nuk ka si ndodh ndryshe. Studentët e pranuan sot se shoqëria jonë është një “shoqëri në agoni”. Edhe studentët protestues natyrshëm janë produkt i kësaj shoqërie. Rastin që patën për të treguar se janë mbi shoqërinë, nuk e shfrytëzuan.
Gëzuar Krishtlindjen (ata që e festojnë) dhe Vitin e Ri 2019 për të gjithë! Të shohim parashikimin e horoskopit për vitin 2019. 2018-a nuk është se solli ndonjë ndryshim të madh. Mesa duket, dhjetorët shqiptarë nuk janë aq produktiv sa mendojmë. Të presim janarin! Gëzuar e pushime të mbara të gjithë studentëve protestues! /Nga Blerti DELIJA/