Viti i ri 1937-1938 në pallatin mbretëror të Ahmet Zogut ishte një festë e një lloji të veçantë. Kjo pasi aty atë vit ndodhej një mysafire e rrallë: Geraldinë Apony, e cila edhe pse po shihej për herë të parë me mbretin e shqiptarëve, vetëm pak muaj do ta ndanin nga martesa spektakolare me të.
Këto foto që vijnë ekskluzivisht, ilustrojnë pak nga atmosfera e këtyre festimeve. Fotot që ruhen në fondin e Fototekës në AQSH, identifikojnë pak prej këtyre momenteve. Fotoja ulur në tryezë tregon një moment nga darka e vitit të ri 1937-1938, pra, natën kur mbreti Zog dhe Geraldian provuan shkëndijat e para të dashurisë së tyre.
Foto e tjera dëshmojnë moment nga ballo e Vitit të Ri, duke u bazuar në kujtimet që vetë Geraldina ka lënë në këtë rast. Në foto duken më së shumti princeshat e kudogjendura, motrat e mbretit Zog, mbreti ndërsa hyn në ballo dhe shumë ministra e drejtues të lartë të mbretërisë.
Natën e vitit të ri, Geraldina kujton se mbreti e prezantoi fillimisht me princeshat e më tej nuk iu nda më asaj për asnjë moment. Ja si e kujton ajo këtë natë të Vitit të Ri në Mbretërinë shqiptare:
“Asnjëherë nuk e largoi vështrimin nga unë, ndërsa më ofroi një gotë. Gishtat tanë u prekën dhe në atë çast dritat u vagëlluan. Ishte pikërisht mesnatë dhe kështu e donte zakoni shqiptar. Ngaqë isha në angështi, e lëshova gotën, e cila u thërrmua në mijëra cifla kristalesh të vogla. E ndjeva se u zbeha në fytyrë, por Mbreti qeshi. Ciflat sjellin fat, – tha ai në gjermanisht dhe më ra në dorë si për të më siguruar. Jehona e dymbëdhjetë tik-takeve të mesnatës ende nuk ishte fashitur, kur një valë e fortë duartrokitjesh dukej se do ta shembte dhomën. Nga të gjitha anët dhe në të gjitha gjuhët u dëgjua thirrja: Fat të bardhë! U ndjeva si asnjëherë më parë. Kisha rënë në dashuri”.
Prej asaj mbrëmje Geraldina nuk iku më nga Shqipëria. Fejesa u mendua të shpallej në janar dhe martesa në prill. Më 25 janar 1938, ambasadori britanik në Durrës njoftonte ministrin e Jashtëm, Anthony Eden:
“Kontesha Apony ka ardhur në Tiranë në pjesën e fundit të muajit dhjetor. Më 31 dhjetor, Mbreti Zog vallëzoi me të në vigjilje të Vitit të Ri, në mbrëmjen e organizuar në oborrin mbretëror. Kur u takova me ministrin e Jashtëm shqiptar në datën 24 janar, ai pohoi fejesën e Mbretit Zog me konteshën Apony. Mendohet se shpallja zyrtare do të jepet brenda pak ditësh”.
Fejesa u shpall më 31 janar 1938. Shpallja u bë në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, e thirrur me kërkesën e vetë Mbretit Zog. Kushtetuta e Shqipërisë parashikonte që kërkesa për fejesën e Mbretit të kalonte për miratim në dy dhomat e Parlamentit. Salla ishte e mbushur plot dhe në lozhën kryesore qëndronin motrat e Mbretit. Kryetari i Parlamentit njoftoi se të dyja dhomat e kishin aprovuar fejesën dhe se Geraldina mund të bëhej Mbretëreshë e Shqipërisë.
Sipas biografes së Geraldinës, atë mbrëmje, Geraldina bëri prezantimin e parë të plotë me familjen e dhëndrit:
“Në darkë, Geraldina kishte veshur një fustan mëndafshi të hollë, në ngjyrën e safirit, të cilin e kishte zgjedhur Mbreti në Uorth të Parisit, si surprizë për të. Gishti i unazës vezullonte nga një diamant i mahnitshëm katërmbëdhjetëkaratësh ngjyrë bojë qielli të lehtë. Për herë të parë dhe të vetme Mbreti mbante një unazë fejese nga Hungaria, prej floriri, rubini dhe safiri, e cila kishte qenë e gjyshit të Geraldinës, kontit Giula Appony. Gjashtë motrat e Mbretit përfaqësonin familjen. Para darkës, Mbreti kishte kërkuar që familja të mblidhej në paradhomë, ku princesha Geraldinë, e zbukuruar, u shfaq përkrah Mbretit. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj që edhe e fejuara ime të jetë e lumtur, foli në gjermanisht me një zë të gëzuar e të pazakontë dhe këto ishin fjalët e tij të vetme rreth fejesës”. /Marrë nga TemA/