Ashtu siç kishin paralajmëruar, emigrantët shqiptarë kanë nisur protestën e tyre para godinës së kryeministrisë. Ndonëse Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk ka dhënë leje për protestën, emigrantët po përcjellin mesazhe kundër krimit, korrupsionit dhe varfërisë në vend.
Protestës i janë bashkuar edhe një grup studentësh si dhe banorët e zonës së Unazës së Re që protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre prej 55 ditësh. Një nga organizatorët e kësaj proteste është Genc Sejko, një person i cili njihet ndryshe si “njeriu i memeve”.
“Jemi këtu për studentët për minatorët, naftëtarët, biznesin ish-të përndjekurit politik, pensionistët dhe për çdo shtresë që ndihet i shtypur nga ky sistem jo thjesht nga qeveri”, u shpreh Sejko.
“Ne nuk do ndalojmë derisa të bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”- thotë një nga protestuesit. Protesta e Diasporës do të zhvillohet edhe nesër dhe pasnesër në orën 12:00 para godinës së Kryeministrisë.