Zbulohet identiteti i 28-vjeçares që dyshohet se u përfshi në kanosjen e familjes së biznesmenit Aurel Guni. Nga burime në Policinë e Shtetit bëhet me dije, se kur u mësua se Aurel Guni, pasi i shpëtoi tentativës për t’a marrë peng dhe më pas kishte kallëzuar në polici Bexhet Musmuçën, është vënë në lëvizje, Fjona Cani.
Fjona Cani, e reja që shihni në këtë foto, dyshohet se ka shantazhuar familjarët e Gunit, duke iu bërë presion që të tërhiqte Guni, kallëzimin për tentativën e rrëmbimit nga Musmuça.
Mësohet se Fjona Cani është e papunë, por nuk dihen të tjera të dhëna rreth një miqësie të mundshme mes saj dhe Musmuçës. Megjithatë, burimet policore shtojnë se 28-vjeçarja u shoqërua në Komisariatin e Elbasanit, në të njëjtën kohë me Musmuçën. Për momentin mbetet e paqartë lidhja direkte mes Musmuçës dhe Canit. Policia e Elbasanit është e rezervuar të japë detaje nëse Fjona Cani u vu në lëvizje nga Musmuça apo nga “urdhëruesit” e Musmuçës për të marrë peng Aurel Gunin.
Musmuça dhe Cani rezultojnë si persona të skeduar nga Policia e Shtetit. Të dy pritet që të dalin para togave të zeza në Elbasan për t’u njohur me masën e sigurisë.
Ditën e premte, biznesmeni Aurel Guni, njëherazi këshilltar i PDIU dhe vëllai i drejtorit të ALUIZNI-t në Elbasan, u tentua të rrëmbehej nga Bexhet Musmuça. Guni shpëtoi nga pengmarrja pasi u largua nga makina ku ndodhej bashkë me rrëmbyesin, i cili e goditi edhe me qytën e pistoletës. Guni e kallëzoi në Polici Musmuçën dhe tha se ky i fundit kishte marrë porosi nga një grup kriminal për t’a rrëmbyer dhe për t’i marrë disa informacione për një tjetër grup rival në Elbasan.