Edhe pa mbërritur në pjesën e dytë të librit të fundit të Flutura Açkës “Roja i dritës”, atë ku datat e poezive të saj të fundit tregojnë ditët më të errëta të saj, nuk sheh ndonjë dritë paqtie.
Si duke u kalitur për ditën që do t’i vinte, për t’ia djegur të tërë farët, ndien edhe në to peshën e metaforave që më pas u bën të rënda sa gjëma që i ra. “Më zhbëri dhimbja,/ Tani jam gur, Dhe bej çfarë bën guri/Duron”, shkruan Flutura nëpër radhët e rënduara që ndoshta janë i vetmi shteg nëpër të cilin mund të zbrazet, nëse kalon. Ky është libri i vetëm i autores që nuk ra në duart e shumë njerëzve këtë panair të librit. Ata që e njohin Fluturën, e dinë që nëse kaloje nga stenda e saj, nuk do largoheshe pa një nga titujt e saj.
Këtë herë nuk e bëri. Nuk deshi! Nuk pati kurajë që t’iu falë të tjerëve dhimbjen e saj, sado që poezitë kanë shkuar përtej personales. E vendosur të mos e bëjë këtë as në intervista, ka lënë dy fjalë në krye të librit, falënderimet e realizimit të të cilit i ka për njerëzit që i ndenjën afër dhimbjes së saj.
“Një falënderim dhe mirënjohje të thellë për Courtney Elisabeth Macauly, për praninë e saj në jetën tonë. Falënderim të veçantë për mjeshtren e dizajnit, Ien van Laanen, për idenë e ballinës, një falënderim, po aq mirënjohje për Ron Olij, për konceptin e këtij libri. Falënderim të thellë për miken time, gazetaren Rezarta Reçi, për këmbënguljen e saj në shtysën për t’i përmbledhur këto poezi. Një mirënjohje e veçantë për Gerda Mulder, e cila ka ndarë me ne çastet fatale të humbjes, por edhe të bukura të kujtimit gjatë shkrimit të këtij libri. Mirënjohje personale për tim shoq, Richard van den Brink, i cili nuk u lodh kurrë së duruari heshtjen time, por edhe në kujtim të ditëve të bukura që kemi ndarë me Birin tonë, Jerin van den Brink, dhe kujtimet e papërsëritshme të jetës sonë familjare bashkë me të, dhe për çastet e rënda që fati na dha t’i kalojmë në jetën tonë”, ka shkruar Flutura Açka.
“Je grua e fortë/ grua e fortë/ e fortë. Më thonë! Unë jam nëna/ jam nëna/ nëna. I them!”, shkruan më tej Flutura, duke zhvlerësuar kështu praninë e çdo fjale të tepërt, në radhët e pastra me dhimbjen e humbjes së saj. Afër fundit, librit të Açkës i është shtuar edhe një poezi që nuk është e saj. Mikesha e ngushtë e të birit, i është bashkuar vuajtjes së nënës, por edhe poetes, duke u ndjerë e afërt në dhimbje dhe poezi.
“Poezia “Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes”, është shkruar nga mikesha e ngushtë e tim biri, poetesha e re afrikano-jugore, Courtney Elisabeth Macauly, “e cila ndau me ne në Utrechat të Holandës, ditët më të vështira të jetës sonë”.
“Poezinë e ka shkruar në ato orë që ndaheshim nga djali ynë, Jerin van den Brink. Qysh në çastin që e kam takuar për herë të parë, një ditë të nxehtë në fundin e dhjetorit 2012 në Cape Town, kur ajo më zgjati një tufë poezish të saj, kam menduar se po takoja një Ingrid Jonker të re, poeteshën e mrekullueshme afrikano-jugore, poezitë e së cilës më kishin magjepsur përherë.
Ky përngjasim m’u bë edhe më i fortë gjatë viteve. Në shenjë të mirënjohjes së thellë ndaj saj, po e përfshij poezinë e saj në këtë vëllim në përkthimin tim në shqip, me urimin që një ditë ajo do ta thyejë drojën e pasigurisë e t’i sjellë Afrikës së Jugut, mbase edhe lexuesve të poezisë, kudo që të jenë ata, një Ingrid Jonker të re”, ka shkruar Flutura përpara prezantimit të autores së re.