Vettingu e ngriti siparin edhe për 2019. I pari që doli në seancë dëgjimore publike, me 4 janar ishte Alltun Cela, kryetar i gjykatës së Sarandës. Në raportin e tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi se Cela kishte probleme në të trija kriteret e rivlerësimit; pasuri, figurë morale dhe aftësi profesionale, ç’ka vë në pikëpyetje vazhdimin e detyrës nga ana e gjykatësit.
Ndërkohë, javën e ardhshme, në seancë dëgjimore për t’u njohur me rezultatet e hetimit administrativ, pritet të dalin, Arben Zefi, kryetar i Gjykatës së Shkodrës, Alfred Gjoni, kryetar i gjykatës së Kurbinit dhe Gentian Jahjolli, këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.
Përgjatë janarit të tjerë gjykatës e prokurorë, do të mësojnë për fatin e tyre, nëse do ta vijojnë ose jo rrugëtimin në sistemin e drejtësisë.
Në 2018, vit gjatë së cilit nisi procesi i rivlerësimit kalimtar, 42 gjykatës e prokurorë u konfirmuan në detyrë, ndërsa 35 të tjerë u shkarkuan, pasi jo vetëm nuk justifikuan pasurinë, por kishin lidhje edhe me eksponentë të krimit të organizuar.