Dje studentët u rikthyen në protestën e nisur një muaj më parë, gjë e cila ka rindezur debatet dhe komentet sa i përket mënyrës së organizimit të saj pas përfundimit të pushimeve të fundvitit.
Lidhur me situatën e krijuar nga qëndrimet e studentëve për vijimin ose jo të protestës, ka reaguar edhe shefi i Departamentit të Fakultetit Juridik në Shkodër, Gasper Kokaj, më herët edhe Dekan, i cili përmes një postimi në ‘Instagram’ ka thënë se, pedagogët kanë qenë dakort që në fillim për plotësimin e kërkesave të studentëve.
Ai shkruan se, nuk është turp që pedagogët të bëjnë mësim por sipas tij turp është që studentët të shkëputen nga protesta e kolegëve të tyre, sepse pedagogët zbatojnë thjeshtë kontratën me universitetin.
Kokaj, aktualisht edhe nënkryetar i Këshillit Bashkiak Shkodër dhe më parë edhe nënkryetar i KQZ-së, e mbyll komentin e tij duke thënë se, sa i përket organizimit të protestës nuk e vendos universiteti por studentët.
Statusi i plotë:
Nuk është turp për pedagogët që bëjnë mësim (mësimi është pjesë e detyrimeve që ka kontrata e tyre me universitetin), Turp është për studentët që shkëputen nga protesta e kolegëve të tyre. Pedagogët kanë qenë dakort që në fillim për plotësimin e kërkesave në interes të studentëve. Menaxhimi dhe organizimi i protestës nuk bëhet as nuk varet nga pedagogët, drejtorët e departamenteve, dekanëve e as nga rektorati.
Studentët vendosin!!!