Zbardhet dosja e plotë e ngjarjes në zonën e Laprakës, ku humbi jetën adoleshentja Griselda Gjikoladhe u lëndua shtetasi Erjon Benga. Referuar hetimeve, Benga nuk ishte i dashuri i së ndjerës, por miku i të fejuarit të saj. Ndërsa shkak për ngjarjen ishte një sherr i 10 ditëve më parë, ku Benga e ka goditur Robert Përpepajn me grusht dhe i ka kërkuar që mos ta ngacmojë më Griseldën. Nga kamerat e sigurisë në bizneset e zonës, hetuesit kanë arritur të zbulojnë skemën e ngjarjes, ndërsa nga dëshmitë e dëshmitarëve është zbardhur shkaku i tij.
Referuar dosjes, dy personat pjesëmarrës në atentat, i arrestuari Ronald Muzhaqi dhe Robert Përpepaj, janë afruar në drejtim të vendit të ngjarjes duke bërë ecje të shpejtë, ndërsa në një moment, njëri prej tyre duket se qëllon në drejtim të mjetit me armë. “Subjekti nr.2, me sendin që mban në dorën e djathtë kryen veprime të njëjta me atë të një personi që i drejton armën e zjarrit një personi tjetër.
Sendi që mban në dorë në këtë çast bëhet më i dallueshëm nga karakteristikat e njëjta me atë të një arme zjarri tip pistoletë. Në këtë moment dallohet se subjekti nr. 2 ka të veshur një palë atlete me vija vertikale në pjesën e lidhëseve, ky shtetas ka karakteristika të njëjta me shtetasin Robert Përpepaj”, shkruhet në dosje.
Ndërkohë, në dëshminë e të arrestuarit mësohet edhe mënyra e arratisjes së tyre, ku fillimisht kanë qëndruar në një hotel në Durrës dhe pas kësaj, me ndihmën e një të afërmi të Përpepajt, janë larguar për në Kurbin.
DËSHMIA E PLOTË E ROLAND MUZHAQIT
Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit po zhvillohen hetime, Roland Muzhaqi. Ai ka deklaruar se më datë 17.12.2018, rreth orës 21:00, një ditë para ditëlindjes së tij, në lagje ka takuar Robert Përpepajn dhe më pas të dy kanë shkuar në një lokal pranë bllokut “Gintash”, pasi aty brenda ishin dy shokët e Robertit që po i prisnin duke pirë kafe.
Sipas deklaruesit, personat që shoqëronin Robertin nuk i njihte, por nga biseda ka mësuar se kishin qenë në burg bashkë me Robertin në Gjermani. Gjatë kohës që po pinin kafe të katërt, në të djathtën e tij, tri tavolina djathtas ishte një tavolinë me 3 persona, dy djem dhe një vajzë. Vajza, e cila ndodhej në tavolinë po shikonte drejt tavolinës së tyre dhe në atë moment deklaruesi e ka pikasur duke e parë me shikim të egër, por për momentin nuk i ka kushtuar rëndësi dhe ka vazhduar duke pirë kafe.
Pasi kanë mbaruar kafen janë çuar të katërt dhe kanë dalë jashtë, ku jashtë janë ndarë me dy djemtë e tjerë dhe ai me Robertin kanë vazhduar rrugën drejt fushës së futbollit të Laprakës. Gjatë kohës që po ecnin me Robertin, kanë dëgjuar dikë që ka fishkëllyer nga mbrapa. Kanë ndaluar të dy dhe janë kthyer pas për të parë se kush ishte.
Në këtë moment ka parë dy djem në këmbë, njëri ishte i gjatë dhe i shëndoshë, ndërsa tjetri ishte pak më i shkurtër, trup mesatar. Personi i parë është afruar, i ka dhënë dorën të dyve dhe pastaj e ka pyetur duke i thënë se përse e kishte ngacmuar atë vajzën. Deklaruesi ka kërkuar të dijë se kë kishte ngacmuar, por personi i parë menjëherë e ka goditur me grusht në fytyrë.
Në këtë moment, Robert Përpepaj i ka dalë para dhe personi i parë e ka gjuajtur edhe Robertin, i cili i ka thënë se çfarë ishte duke bërë. Në këtë moment, deklaruesi ka kapur Robertin dhe kanë vrapuar të dy në drejtime të ndryshme, ku ai ka vrapuar nga pallati i tij, ndërsa Roberti ka ikur në drejtim të shtëpisë së tij. Nga ai moment, deklaruesi nuk e ka takuar atë natë Robertin.
Të nesërmen pas sherrit ai është takuar me Robert Përpepajn, i cili i ka treguar arsyen e vërtetë të këtij sherri, ku i ka thënë se para shumë kohësh, ai kishte goditur me shpullë një shoqen e shtetases me emrin Griselda Gjikola dhe në atë kohë, shoqet e Griseldës i kishin thënë Robertit se një ditë do ta paguante për atë që kishte bërë.
Sipas deklaruesit, në këtë moment të dy me Robert Përpepajn janë interesuar për të mësuar se kush ishin dy personat dhe për këtë kanë takuar shtetasin Din D., rreth 16 vjeç, i cili është vëllai i shtetasit Andi D., i cili ka punuar si kamerier në bar-kafe “S…”.
Këtij personi i kanë kërkuar ndihmë që t’u tregonte se si quhej një person që rrinte dhe ishte shoku i Griseldës, të cilin ia kanë përshkruar fizikisht. Shtetasi Din D. ka hapur menjëherë në “Facebook” foton e personit që ishte me emrin Erjon Benga, duke i pyetur nëse ishte ky personi dhe Roberti e pa me vëmendje dhe i ka thënë se ai ishte personi që i kishte goditur. Nga ai moment e në vazhdim, ata kanë filluar të interesoheshin për këtë shtetas, duke pyetur persona të ndryshëm se ku punonte shtetasi Erjon Benga.
Nga të dhënat që kanë marrë nga persona të ndryshëm kanë mësuar se Erjon Benga nuk banonte në Laprakë, por në Institutin Bujqësor. Në ditët në vijim kanë marrë informacion nga shtetasi Din D. se Erjon Benga frekuentonte shpesh lokal “O…” te lagjja e tij dhe prej asaj dite kanë ndenjur gati çdo një orë, çdo ditë para lokalit “O…”, kryesisht nga ora 20:00.
Pasi kanë ndenjur disa ditë rresht duke e pritur, nuk arritën ta shikonin në lokal. Sipas deklaruesit, më datë 26.12.2018, rreth orës 17:00, ai ka qenë me Robert Përpepajn dhe kanë shkuar te pallatet në zonën e “Don Boskos” dhe brenda pallateve kanë hyrë të dy në një “Western Union”, ku kanë tërhequr shumën prej 100 euro, të cilën ia ka dërguar një shoku i tij, që quhet Renato Z., i cili jeton në Francë.
Por eurot ia ka dërguar nga Gjermania. Pasi kanë marrë 100 eurot janë nisur në këmbë për në drejtim të pallateve “Gintash”. Në atë moment, shtetasin Robert Përpepaj e ka telefonuar Din D. dhe i ka thënë se Erjon Benga ishte duke pirë kafe te lokal “O…”. Roberti e ka pyetur Dinin se me sa djem ishte Erjoni dhe Dini i ka thënë se ishte vetë i dytë.
Në këtë moment, ai i ka thënë Robertit se do të shkonte në shtëpi për të marrë një levë dhe Roberti iku për të marrë diçka, duke e lënë të takoheshin menjëherë në afërsi të lokalit. Sipas deklaruesit, ka shkuar në shtëpinë e tij, ka marrë një xhiro makinën me qëllimin për të goditur Erjon Bengën. Pasi ka zbritur nga pallati, ka shkuar në afërsi të lokal “K… D…” dhe aty ka takuar Robert Përpepajn.
Roberti i ka treguar një pistoletë “TT”, të cilën e mbante në brez dhe i ka thënë se ai do ta mbante me presion me pistoletë Erjonin, ndërsa deklaruesi do ta godiste me levë në trup. Sipas deklaruesit, pasi kanë folur, të dy janë nisur në drejtim të lokal “O…”, ku sapo u afruan kanë parë mjetin me shtetasin Erjon Benga, i cili filloi të lëvizte drejt farmacisë “D…”.
Në këtë moment, me vrap i kanë dalë nga ana tjetër me qëllim për t’i dalë para. Janë afruar te trotuari përballë furrës së bukës “K…” dhe i kanë dalë përpara mjetit. Deklaruesi ka dalë nga ana e pasagjerit, ndërsa Robert Përpepaj ka dalë nga ana e shoferit. Erjoni i ka dhënë gaz makinës, ndërsa ai ka goditur me xhiro makine xhamin e parë të derës së pasagjerit, por xhami nuk u thye.
Në këtë moment ai ka dëgjuar disa krisma të njëpasnjëshme dhe aty ka parë që Robert Përpepaj po qëllonte me pistoletë në drejtim të automjetit. Ai së bashku me Robertin kanë ikur me vrap në drejtim të farmaci “D…”, më pas kanë kaluar një ngushticë pallati dhe kanë kaluar në rrugën “Dritan Hoxha”, duke kaluar në krahun tjetër të rrugës, ku kanë hyrë në një rrugicë pa dalje në fund dhe në fund djathtas të rrugicës, ku ndodheshin disa barishte ai ka hedhur xhiron e makinës, ndërsa Robert Përpepaj ka hedhur pistoletën “TT” dhe e kanë mbuluar me disa barishte.
Më pas kanë dalë në rrugën kryesore “Dritan Hoxha” dhe kanë ecur në trotuar në drejtim të sheshit “Shqiponja”, ku aty në anë të terminalit të autobusëve të Jugut, ka qenë e parkuar një taksi “Benz” katërfenerësh, e pasi kanë rënë dakord me çmimin janë nisur për në qytetin e Durrësit, ku fillimisht janë vendosur në një hotel.
Sipas deklaruesit, në qytetin e Durrësit, nëpërmjet internetit është vënë në dijeni për vdekjen e Griseldës. Pas rreth 30 minutash i ka rënë telefoni nga një numër që s’e kishte regjistruar, telefonatë së cilës ai i është përgjigjur dhe personi i ka thënë se ishte djali i tezes së Robertit.
Deklaruesi i ka kaluar telefonin Robertit, ku ky i fundit ka folur rreth 2-3 minuta dhe kur ka mbaruar telefonatën, i ka thënë se nuk ishte djali i tezes, por ishte kunati i tij, shtetasi Arben S., dhe se do shkonte dikush t’i merrte. Kanë dalë nga hoteli dhe janë drejtuar në drejtim të stacionit të trenit Durrës për të pritur personin që do t’i merrte. Kanë shkuar te stacioni i trenit dhe atje e ka telefonuar një person dhe Roberti është përgjigjur në telefon, ku ky person i përshkroi automjetin.
Roberti i ka thënë se duhet të shikonin një automjet tip “Vosvagen Golf 4”, ngjyrë blu të errët, të cilin e kanë parë të parkuar aty afër. Shoferi nuk ka dalë nga makina, Roberti ka hyrë në vendin e parë, ndërsa deklaruesi në sediljen e pasme shtrirë. Pas rreth një orë udhëtimi, kanë zbritur në një fshat në zonën e Kurbinit, ku i prisnin rreth 7-8 persona, ndër të cilët ishte edhe Arben S., kunati i Robert Përpepajt. Arbeni në këtë moment u ka marrë të dyve telefonat, u ka thyer kartat dhe i ka fikur telefonat. Arbeni i ka pyetur se kush qëlloi dhe Roberti i shpjegoi se nuk kishin plan për të qëlluar, por kur i dha gaz makinës, kishte qëlluar me armë. Sipas deklaruesit, ai me Robertin është ndarë, ku ai ka ikur me dy persona në një fshat të Lezhës, duke u strehuar pranë një shtëpie private të njërit prej personave.