Dalin detaje të reja mbi identitetin e bisnesmenit, shtëpia e të cilit u plaçkit nga tre persona mbrëmjen e sotme. Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se Elton Kelmendi, që nga vitit 2009, ka në pronësi një kompani që merret me transport rrugor kombëtar dhe ndërkombëtar mallrash për të tretë e me qira, si dhe me tregti me pakicë e import-eksport të artikujve të ndryshëm ushqimorë dhe industrialë. Tre persona të maskuar kanë grabitur mbrëmjen e sotme banesën e Elton Kelmendit në Shkozet të Durrësit, një biznesmen transporti. Nga të dhënat e para, dyshohet se vlera e grabitur është rreth 10 mijë euro.
Grabitësit, nën kërcënimin e armëve, mësohet se kanë lidhur personat e pranishëm në banesë dhe kanë marrë paratë. Para se të largoheshin, grabitësit kanë marrë edhe djalin e familjes, por e lanë të lirë disa kilometra më tutje. Biznesmeni ka bërë kallëzim duke vënë në lëvizje policinë, që ka nisur kërkimet për gjurmët e keqbërësve.