Nuk është rastësi që në qytetet kryesore të vendit, farmacitë mund t’i gjesh në çdo cep, shpesh edhe ngjitur me njëra-tjetrën. Shqipëria renditet ndër vendet që kanë numrin më të lartë të farmacistëve në raport me popullsinë.
Në vendet e Bashkimit Europian ka rreth 84 farmacistë për çdo 100 mijë banorë, sipas të dhënave që ka publikuar Eurostat.
Në Shqipëri numërohen mesatarisht 86 farmacistë për 100 mijë banorë, 2 më shumë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian, sipas të dhënave për numrin e farmacistëve nga urdhri i Farmacistëve dhe INSTAT për popullsinë.
Sipas të dhënave nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka rreth 2458 farmacistë që kanë përmbushur ciklin e parë të ricertifikimit. Ndërsa për sa i përket ndihmës farmacistëve sipas të dhënave në faqen zyrtare janë 133.
Ndër vendet e Bashkimit Europian Malta ka regjistruar numrin më të lartë të farmacistëve në Europë për 100 mijë banorë, ndjekur nga Belgjika me 122 dhe Italia me 116.
Në Greqi dhe Francë ka përkatësisht 105 dhe 104 farmacistë për 100 mijë banorë, rreth 20 më shumë se në Shqipëri.
Rumania, Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria dhe Portugalia kanë po aq farmacistë sa mesatarja e BE-së.
Në vende si Austria dhe Gjermania, në krahasim me Shqipërinë numri është më i ulët. Sipas të dhënave nga Eurostat, në Austri ka rreth 71 farmacistë për 100 mijë banorë, ndërsa në Gjermani ka rreth 64 farmacistë, 20 më pak.
Numrin më të ulët të farmacistëve e ka Holanda me 21 farmacistë dhe Danimarka me 51 farmacistë për 100 mijë banorë.
Tregu i barnave në Shqipëri është në zgjerim
Tregu i farmaceutikës po përjeton një epokë lulëzimi gjatë kësaj dekade, dhe perspektiva po shihet me optimizëm nga operatorët e mëdhenj. Popullsia e vendit, me të dhëna zyrtare (INSTAT) në vitin 2018 është 300 mijë banorë më pak se në vitin 2008, por përdorimi i produkteve farmaceutike gjatë kësaj periudhe është rritur me 1.2 herë, kurse tregu i farmaceutikes është zgjeruar me 2.2 herë në vlerë. Plakja e popullsisë, rritja e sëmundshmërisë, jetëgjatësia dhe vëmendja më e madhe ndaj kujdesit shëndetësor kanë rritur shitjet. Gjatë vitit 2017, tregu i ilaçeve shënoi një vlerë prej 31 miliardë lekësh (230 milionë euro) duke u zgjeruar me 16% në krahasim më një vit më parë. Prodhimi vendas i medikamenteve zë afërsisht 10% të tregut të medikamenteve. Ndërsa importi i medikamenteve është rritur me rreth 16% gjatë 2017-s, prodhimi vendas ka zgjeruar tregun me 0.8%. /Marrë nga Monitor, Burimi: Eurostat; Urdhri farmacistëve dhe INSTAT për Shqipërinë/