Kryeregjistruesi Valdrin Pjetri tha sot se ZRPP do të nisë brenda muajit shkurt dixhitalizimin e arkivit të saj. Një nga objektivat e punës së ZVRPP Tiranë për vitin 2019, është nisja e procesit të dixhitalizimit të arkivave ndër vite të kësaj zyre.
“Synojmë që brenda muajit shkurt të nisë dixhitalizimi i rreth 47 milionë faqeve të arkivit të hipotekave të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh kryeregjistruesi Pjetri. Në analizën vjetore të zhvilluar sot në Zyrën e Tiranës, Kryeregjistruesi Valdrin Pjetri nënvizoi faktin që 93% e shërbimeve të ofruara në këtë zyrë janë kryer brenda afatit ligjor, duke e përmirësuar dukshëm shërbimin ndaj qytetarit, ndryshe nga viti 2017 ku trajtimi i praktikave brenda afatit ka qenë rreth 55%. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, ka ofruar rreth 300.000 shërbime për qytetarët e kryeqytetit.
Gjithashtu lejet e legalizimit të regjistruara për vitin 2018 jane rreth 14.000 ose 9.500 leje më shumë, krahasuar me vitin 2017.
Sukses i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, mbetet padyshim sporteli Fast Track, i cili ofron shërbim ekspres brenda 24-orëve për 9 shërbimet më të kërkuara nga qytetarët.
“Për këtë platformë është ndërtuar një sektor i dedikuar në ZVRPP Tiranë me 21 punonjës të cilët merren ekskluzivisht vetëm me praktikat Fast Track. Për periudhën Nëntor-Dhjetor 2018, janë ofruar rreth 3.000 shërbime për qytetarët e Tiranës duke e ofruar shërbimin për 24 orë”, u shpreh Kryeregjistruesi.