Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet lidhur me vendimin e Urdhrit të Stomatologut për rritjen e tarifave për rreth 13 shërbime dentare. Në mbledhjen e zhvilluar këtë të hënë, Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se ligji ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg. “Vendimi i Urdhrit të Stomatologut, mund të ketë elementë të kufizimit të konkurrencës në kuptim të nenit 4 të Ligjit 9121/2003”, thuhet në vendimin e marrë sot.
Gjithashtu, masa janë paralajmëruar edhe për klinikat dentare të cilat rrezikojnë të gjobiten nëse rezulton se fiksimi i çmimeve dysheme bie ndesh me ligjin dhe dëmton konkurrencën në treg.
Disa ditë më parë Urdhri i Stomatologëve njoftoi se prej fillimit të 2019-s, klinikat dentare në vend po aplikojnë një listë të re me çmimet dysheme për shërbimet bazë që ofrojnë, duke i rritur tarifat me 100%. Për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, përpara 1 janarit, pacientët në klinikën e tij duhet të paguanin 2,000 lekë, ndërsa tani me çmimin dysheme që ka vendosur Urdhri i Stomatologut, pacientët duhet të paguajnë 4,000 lekë, ose dyfish.
Rritje ka pasur edhe për shërbimet e tjera dentare. Pjesa më e madhe e klinikave në vend për vizitat e pacientët (ekzaminim me sy) i kanë falas, por prej 1 janarit për vizitat çmimi dysheme është 500 lekë. Për mbushjet e gradës së tretë, çmimi ishte 3,000 lekë, ndërsa me referencën e re çmimi bëhet 5.000 lekë (2.000 lekë më shumë, shtrenjtim 67%). Çmimi për pastrimin e gurëzave dhe të cipave bëhet 3.000 lekë, nga 1.500 lekë, sa dyfishi. Heqja e dhëmbëve bëhet 1.000 lekë nga 500 që ishte.
Ndërkohë kundër është shprehur edhe Ministria e Shëndetësisë e cila ka paditur në Gjykatë vendimin e Urdhrit të Stomatologëve.