Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte në zyrat e reja të cilat u vijnë në ndihmë 120 mijë banorëve të Tiranës për aplikim për letërnjoftim e pasaportë. Ai bëri me dije se afati i vlefshërisë së këtyre kartave do të shtyhet deri më 31 dhjetor 2019.
Shtyrja e afatit u bë për për të ulur fluksin e qytetarëve të cilët aplikojnë për letërnjoftime elektronike.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi qytetarët se me kapacitetet e shtuara nuk do të kenë asnjë pengesë në marrjen në kohë të shërbimit të kërkuar.
“Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve, por edhe për të përballuar fluksin e madh i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009. Ministria e Brendshme kanë ndërmarrë masa për të zgjeruar kapacitetet dhe për të përmirësuar kushtet e aplikimit”, nënvizoi Lleshaj.