Del fotoja e ish- efektivit të policisë, pre e një atentati. Ky është 50-vjeçari Arben Bilali që humbi jetën sot pak metra larg shtëpisë së tij në Selitë. Bilali, ish-efektiv policie u shenjestrua me automatik nga dy persona që lëviznin në një “Benz” të zi, të cilët dyshohet se ishin profesionistë të paguar. Familja e tij ishte prej kohësh në konflikt me një grup që vepron në zonën e Selitës, e pikërisht për këtë shkak janë ekzekutuar më parë edhe dy vëllezërit e Arbenit, Bujari dhe Leonardi, përkatësisht në vitin 1998 dhe 2010.
Pas vrasjes së dy vëllezërve të tij, ish-polici Arben Bilali ishte ngujuar në banesën e tij në zonën e Selitës dhe nuk dilte pothuajse fare. Policia ka sekuestruar pamjet e mbi 30 kamerave të sigurisë që nga ‘Vasil Shanto’ deri në vendngjarje për të zbardhur ngjarjen.
Policia ka shoqëruar disa persona dhe po punon për kapjen e autorëve të krimit që tronditi sot kryeqytetin. E gjithë kjo çështje dyshohet se është një histori hakmarrje e nisur prej 20 vitesh, por po hetohet nga SHCBA edhe pista e vrasjes për shkak të detyrës. Dyshohet se vëllezërit Bilali kanë qenë në konflikt me një bandë të njohur në zonën e Selitës.