Me 15 korrik 2015, Prokuroria e Shkodrës njoftoi mediat e përmes tyre publikun se kishte “zbuluar” një grup në Drejtorinë e Tatimeve Shkodër, i cili kishte konsumuar kështu elementët e veprës penale “Mos kryerja e detyrave nga organet tatimore” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga nenet 181/a dhe 248 të Kodit Penal. Ranë në pranga 9 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Sot, pas 3 viteve e gjysmë, drejtësia ka përmbysur gjithçka. 10 personat janë shpallur të pafajshëm dhe madje, kanë fituar të drejtën të rikthehen në vendet e punës. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Tani flitet për anën financiare. Pas pafajësisë, punonjësit përfitojnë rrogat e plota mujore, për aq kohë sa kanë qenë në arrest, arrest shtëpie, hetim në gjendje të lirë, fazë gjykimi etj. Nuk përfitojnë vetëm dy zonjat, të cilat pasi kanë marrë pafajësinë në shkallë të parë pas një kohe të shkurtër, kanë dhënë dorëheqjen nga detyra në Drejtorinë e Tatimeve Shkodër. 8 personat e tjerë, kanë mundësi të marrin deri në 50 milion lekë, në total rreth 400 milion lekë të vjetra. Veç kësaj, pritet që të kërkojnë dëmshpërblim për ditët e padrejta të privimit të lirisë por edhe për prishjen e imazhit e reputacionit.
ShkodraWeb ka biseduar me disa nga personat që u kthyen në “gogol” të korrupsionit. Ata thonë se në gjyq, prokuroria nuk arriti të paraqesë asnjë provë për pasoja konkrete nga veprimet apo mosveprimet e personave që u arrestuan me bujë. Nga ana tjetër, Drejtoria e Tatimeve Shkodër, i pezulloi që të gjithë nga puna në vend që ti rikthente kur dolën në gjendje të lirë dhe ishin në hetim. E gjithë kjo, ka sjellë që e gjithë “tullumbacja” të shfryhet, madje me kosto edhe për xhepat e taksapaguesve. Madje, një nga 8 personat, tashmë do të nisë punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Tiranë. Pavarësisht se faji është i organit të akuzës, rrogat e prapambetura do ti pagujnë Tatimet, tanimë që vendimi i pafajësisë është dhënë edhe nga Apeli. Nga ana tjetër, Prokuroria do të duhet të paguajë pasi të përfundojë gjykimi administrativ për ditët e padrejta të privimit nga liria dhe të drejtat e kufizuara, shto këtu edhe prishjen e imazhit pçublik të 10 personave.
Raportimi i ngjarjes në 2015- ën
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga ditën e djeshme (15 korrik 2015) 9 punonjës të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, pasi dyshohen se kanë lidhje me një skemë korruptive. Burime zyrtare të Policisë së Shkodrës kanë bërë me dije se arrestimi i tyre është bërë i mundur në kuadër të finalizimit të operacionit “Evazioni”, në drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit Ekonomik e Financiar dhe Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër. Uniformat blu kanë bërë me dije se në pranga kanë përfunduar Uarda Albunesa, 29 vjeçe, banuese në Shkodër, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Verifikimit në Terren, në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Shkodër; Genti Bilali, 47 vjeç, banues Shkodër; Fatjon Dibra, 29 vjeç, banues Shkodër; Erxhan Meta, 41 vjeç, banues Shkodër; Nikolin Arra, 24 vjeç, banues Shkodër; Eris Llukacej, 29 vjeç, banuese në Shkodër; Rrok Lorja, 58 vjeç, banues në Shkodër; Gjon Prronaj, 56 vjeç, banues në Shkodër dhe Kreshnik Dibra, 30 vjeç, banues Shkodër, që të gjithë këta persona janë specialistë në Drejtorinë e Tatimeve në Shkodër. Sakaq, policia theksoi se u bë shpallja në kërkim e shtetasit me iniciale Eduard Prela, 41 vjeç, banues në Shkodër. Të ndaluarit e mësipërm akuzohen për “Mos kryerja e detyrave nga organet tatimore” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga nenet 181/a dhe 248 të Kodit Penal.
Hetimet
Nga kryerja e veprimeve hetimore të deritanishme ka rezultuar se punonjësit e Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër, në mospërmbushje të rregullt të detyrës nuk merrnin masat administrative të duhura ndaj subjekteve tregtare, të cilat ushtrojnë aktivitet tregtar në kundërshtim me ligjet tatimore. Burime zyrtare të Prokurorisë së Shkodrës, bëjnë me dije se gjatë periudhës së hetimit, rezulton se punonjësit e Drejtorisë Rajonale Shkodër Uarda Albunese, përgjegjëse e sektorit të kontrollit të territorit, dhe Genti Bilali; Erxhan Meta; Nikolin Arra; Fatjon Dibra; Kreshnik Dibra; Erisa Llukacej; Gjon Prronaj dhe Rrok Lorja, sipas urdhrave të punës kanë qenë të angazhuar me shërbim për kontrollin e subjekteve tregtare, nëse ata ushtrojnë aktivitet tregtar në përputhje me legjislacionin tatimore në fuqi.
Nga të dhënat e grumbulluara në kuadër të veprimeve hetimore të këtij procedimi penal, rezulton se punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Shkodër, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, nuk kanë marrë masa administrative ndaj subjekteve tregtare të kontrolluara, të cilët janë konstatuar se ushtrojnë aktivitet tregtar në kundërshtim me ligjin tatimor. Nga të dhënat e marra rezulton se punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Shkodër, të sipërcituarit, përkundrejt marrjes së ryshfetit dhe shpërblimeve nga subjektet tregtare, nuk marrin masat administrative për shkeljet e konstatuara. Organi i akuzës, bën me dije se janë kryer kontrolle në të gjitha subjektet tatimore tek të cilët janë ushtruar kontrolle nga ana e punonjësve të lartpërmendur dhe në të gjitha këto subjekte të kontrolluara janë konstatuar parregullsi në lidhje me dokumentacionin tatimor, ku në një pjesë të tyre nuk kishte kasë fiskale, apo edhe pse kishte kasë fiskale përdorej printeri jo fiskal, apo ku subjektet ishin të paregjistruara në organet tatimore, apo shitja e mallrave pa faturë tatimore etj.