Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka publikuar vendimin për çështjen e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë, Artan Zeneli, pasi ky i fundit ka ankimuar vendimin e mëparshëm të KPK për shkarkim nga detyra.
KPA ka votuar unanimisht që subjekti i rivlerësimit Artan Zeneli del përfundimisht nga sistemi i drejtësisë, dhe vendimi ka efekt të menjëhershëm.
‘Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Rezarta Schuetz, relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj, sot, më datë 04.02.2019, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen nr.21/2018 (JR) që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Artan Zeneli, kundër vendimit nr. 41, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit, mbështetur në faktet e provuara në gjykim dhe në nenin 66, pika 1, germa “a” të ligjit 84/2016, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 41, datë 18.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Artan Zeneli.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall në Tiranë, sot, më datë 04.02.2018′, thuhet në vendimin e Komisionit të Posaçëm të Apelimit.
Kujtojmë se Zeneli u shkarkua nga KPK pasi nuk kishte deklarauar heqjen e vizës nga ambasada e SHBA, nuk kishte deklarauar huanë e marrë nga persona të ndryshëm dhe problemet me blerjet e pasurive të paluajtshme.
Ai ishte rifutur në sistemin e drejtësisë si pjesë e Gjykatës së Lartë në vitin 2009, ndërsa kishte punuar si gjykatës në Krujë deri në vitin 1999 dhe më pas si avokat. Zeneli nuk qe i vetmi anëtar i kësaj gjykate i shkarkuar.