Shkarkimet nga puna në administratën publike kanë krijuar një barrë fiskale për vitet buxhetore që kalojnë. Sipas një studimi të bërë nga organizata “INFOCIP”, rezulton se nga buxheti i shtetit janë paguar shuma të konsiderueshme deri në 100 milionë euro dëmshpërblime për largime nga puna.
Sipas raportit të INFOÇIP-it rezulton se një nëpunësi, i cili padit vendimin për shkarkim nga puna, i duhet mesatarisht 840 ditë për të marrë vendimin e formës së prerë, pra në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Gjykatën e Apelit Administrativ. “Për të kuptuar sa garantuese kanë qenë Gjykatat Administrative në mbrojtjen e të drejtave të punësimit, INFOÇIP analizoi të gjitha vendimet përfundimtare të Gjykatës Administrative të Apelit në vitet 2018 dhe 2017, të cilat u takojnë çështjeve të regjistruara që nga 2014 e deri në 2016.
Po ashtu, INFOÇIP ka vlerësuar edhe të gjitha rekurset me objekt “marrëdhëniet e punës” në Gjykatën e Lartë, të vendimuara në vitet 2015, 2016 dhe 2017. Nga ky studim rezulton se një punonjës që humbi punën në shtet priti në dyert e gjykatës mesatarisht 840 ditë (2.3 vjet) për të gjetur drejtësi në të dyja shkallët e gjykimit. Nëse i shtohet kësaj kohe edhe shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë, pritja arrin mesatarisht 1730 ditë ose rreth 4.7 vjet”, theksohet në raport.
Gjetjet e raportit shkojnë edhe më tej. Ai analizon numrin e vendimeve të dhëna nga Gjykata e Apelit Administrativ përgjatë dy viteve të fundit. Në raport theksohet se: “Në 2018, Gjykata Administrative e Apelit dha gjithsej 4743 vendime për çështje themeli. Prej tyre, 1400 ose 29.5 % e totalit, kishin objekt marrëdhëniet e punës. Në 2017, Gjykata Administrative e Apelit dha 5546 vendime për çështje themeli. Prej tyre, 1601 ose 30% e totalit, kishin objekt marrëdhëniet e punës.
Në dy vitet e analizuara të marra së bashku rezulton nga ana tjetër se 77% e ankimuesve fituan çështjet e tyre gjyqësore për pushim të padrejtë nga puna”. SHUMA Sipas analizës së bërë, vetëm për dy vitet e fundit, buxhetit të shtetit i është krijuar një barrë fiskale që shkon rreth 15 milionë euro. Por gjetjet e raportit japin edhe të dhënat e parave që ka paguar shteti për vendimet gjyqësore. Konkretisht, shprehet se: “Nëse zbërthehet diapozitivi i vendimit, del se janë në total 10625 paga, që shteti do duhet të paguajë në formë dëmshpërblimi për personat që fituan çështjet gjyqësore ndaj tij në 2018 në Apelin Administrativ.
Ndërkohë, janë 19003 paga, të cilat duhet t’u paguhen si dëmshpërblim personave që fituan gjyqet në 2017-ën. Sipas INSTAT-it, paga mesatare në sektorin publik deri në fund të vitit 2017 ishte 493 euro. Sipas kësaj konjukture zyrtare, për rreth 30 mijë paga, të cilat duhen dëmshpërblyer për 2 vitet e fundit, fatura e përgjithshme që duhet të paguhet nga shteti është rreth 15 milionë euro. Kjo e dhënë do reflektohet në buxhet për vitin 2019, 2020 dhe 2021. Ndërkohë, sipas një studimi të bërë nga BIRN, rezulton se nga viti 2014 deri në vitin 2018 janë paguar 98 milion euro dëmshpërblime për të larguarit nga puna.