Nga 1 marsi, qytetarët do të mund të ndërrojnë pronësinë e mjeteve direkt pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Lajmin për shërbimin e ri e ka bërë të ditur dje Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, ku sipas këtij institucioni tarifa e përcaktuar për këtë shërbim është 1,400 lekë.
Ofrimi i këtij shërbimi pranë sporteleve të Drejtorisë së Transportit Rrugor do të sjellë shumë lehtësi për qytetarët, pasi ata mund të verifikojnë online nëse mjeti që ata kërkojnë të blejnë ka gjoba apo taksa të papaguara.
“Tjetër lajm i mirë për qytetarët! Nga 1 marsi, ndërrimi i pronësisë së mjetit, direkt edhe në sportelet tona. Tarifa e shërbimit vetëm 1,400 lekë. Siguri për shitësin e blerësin, verifikim i plotë në sistem. Shërbimi më i ri e i shumëpritur nga qytetarët nis nga Tirana e do të ofrohet në gjithë drejtoritë rajonale me cilësi e vëmendje brenda muajit mars”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni. Më herët, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor nisi ofrimin e shërbimit për vendosjen e targave të përkohshme online. Shërbimi i ri mundësoi eliminimin e radhëve të gjata dhe sorollatjen e qytetarëve nëpër sportele.