Pesë orë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Fierzë, ku një elektricist ndërroi jetë në krye të detyrës pasi ra në kontakt me energjinë elektrike, OSHEE ka reaguar në një njoftim zyrtar.
Elektricisti, i cili kishte hipur në një shtyllë për rregulluar një defekt, u identifikua si Prend Ceca, 34 vjeç, ka qëndruar për disa orë pa jetë në shtyllë dhe pas mbërritjes së policisë dhe strukturave të OSHEE, është zbritur dhe tashmë trupi i tij ndodhet në morgun e spitalit Bajram Currit. Njoftimi i OSHEE për punonjësin e vet që humbi jetën, vjen me shumë vonesë dhe nuk tenton të sqarojë nëse ai qëndroi disa orë në majë të shtyllës apo jo. Po ashtu, nuk saktësohet nëse po riparonte një defekt siç thuhet apo jo.
Në njoftimin zyrtar, OSHEE sqaron:
Sot rreth orës 16:00, strukturat e agjencise OSHEE Pukë jane njoftuar nga banorë të fshatit Fierzë se është gjendur i vdekur elektricisti Prend Ceca, 34 vjeç nga Puka. Elektricisti është gjendur pa shenja jete në shtyllën e fiderit Iballë, pjesë e Nst Gropaj, i cili ndodhet midis Tropojës dhe Pukës.
Ne vendngjarje jane nisur ekipet e OSHEE, ndërsa më herët është njoftuar edhe policia e shtetit. Trupi i viktimës ndodhet për ekzaminime të mëtejshme në morgun e spitalit të Bajram Currit për të mësuar shkaqet e vdekjes.
OSHEE gjen rastin t’i shprehe ngushellimet me te sinqerta familjes se te ndjerit, kolegeve dhe te afermeve te tij.