Tre ditë pasi mori në dorëzim nga Kuvendi kërkesat për dorëheqje nga mandati i deputetëve të opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ktheu një tjetër kërkesë Kuvendit të Shqipërisë, për të marrë më tepër shpjegime prej tij mbi dokumentet e dërguara lidhur me dorëheqjen e deputetëve të opozitës nga mandatet.
Kërkesa e KQZ kishte për qëllim saktësimin, pasi u vërejtën paqartësi në specifikimet ligjore në dokumentin ku kërkohet nisja e procedurave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.
Sipas KQZ, 56 njoftimet për dorëheqjen e deputetëve të opozitës nuk janë korrekte, pasi në to nuk përcaktohet krijimi i vakancave, sikundër parashikon ligji zgjedhor.
Ndërkohë në dokumentet që i janë dërguar Komisionit për zëvendësimin e deputetëve të opozitës, nuk specifikohej krijimi i vakancës.
Pas kërkesës së KQZ Kuvendi i ka kthyer përgjigje duke specifikuar në shkresa përkatëse për të gjithë deputetët e dorëhequr krijimin e vakancës.
Për referencë, në shkresën që Kuvendi i ka dërguar KQZ më datë 7 Maj 2018, pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri, i kërkohej KQZ-së, zëvendësimi i deputetit Tahiri me kandidatin e listës së Partisë Socialiste, pas konstatimit të vakancës.
Edhe pse shkresat kanë të njëjtin objekt, dorëheqjen nga mandati, hartimi i tyre lë shteg për intepretim.
Kodi Zgjedhor përcakton formulën e zëvendësimit të deputetëve që kanë vendosur të ndërpresin mandatin. Ligji thekson se mandatet e dorëzuara nga deputetët plotësohen me kandidatët pasues të listës shumëemërore.
Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqarojnë se deklaratat paraprake për mospranim të mandatit të deputetit nga kandidatët e listës së partive opozitare, nuk mund të merren për bazë. Një qëndrim i tillë nuk njihet ligjërisht, pasi kandidati nuk mund ta bëjë të këtë deklaratë, pa zotëruar më parë ligjërisht një mandat deputeti.