Ka marrë fund gjyqi ndaj dy të rinjve në Shkodër, të cilët u gjykuan për ngjarjen e rëndë të ndodhur në nëntor 2017. Mësohet se togat e zeza të Shkodrës, kanë dhënë vendimin për Elvis Hoxhaj dhe për Ditmir Arifi, si autorë të ngjarjes ku humbi jetën Hermes Beqiri.
Në seancën e zhvilluar sitën e sotme, Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lërë në qeli për 12 vite Elvis Hoxhën dhe 8 vite Ditmir Arifin. Ngjarja e rëndë e nëntorit 2017, e ka zanafillën tek një kapele dhe përfundoi tragjikisht me humbjen e jetës së Hermes Beqirit.
Prokuroria e Shkodrës kërkoi 12 vite burg për Elvis Hoxhën i akuzuar si autor i vrasjes të Hermes Beqirit dhe 8 vite për Ditmir Arifin i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë vrasje.
I pandehuri Hoxha dhe avokati mbrojtës i tij nuk e kanë pranuar autorësinë për vrasjen e Hermes Beqirit, ngjarje e ndodhur me 4 nëntor të 2017-ës. I pandehuri deklaroi përpara gjykatës se në momentin e vrasjes ai nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes.
Elvis Hoxha u shpreh se vrasja e Hermes Beqirit është kryer nga një person i tretë i cili e ka kërcënuar me jetë Elvisin dhe familjen e tij nëse do të flasë përpara drejtësisë. Avokati mbrojtës Kreshnik Kolndreaj deklaroi se Elvis Hoxha fillimisht e ka pranuar autorësinë e ngjarjes si shkak i presionit psikologjik në momentin kur është marrë në pyetje në prokurori dhe polici. Sipas mbrojtjes Hoxha s’ka qenë prezent sepse sipas kompanisë celulare rezulton se ka qenë të paktën 15 km larg nga vendi ku ndodhi vrasja.
Arma e gjetur në momentin e arrestimit sipas avokatit nuk është arma e krimit dhe deri më tani s’ka ende asnjë provë se me atë armë është kryer vrasja. Për palën mbrojtëse çështja ndaj Elvis Hoxhës duhet të pushohet dhe të shpallet i pafajshëm. E vetmja vepër penale tha avokati mbrojtës është ajo e armëmbajtjes pa leje. /BW/