Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, në respekt të qytetarëve shqiptarë, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelektorale të kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes, që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë, (tash e ka bashkuar në një zgëq, gjoja zyrë, por vetëm zyra nuk mund të jenë, një hapësirë ku të zihet fryma nga ngushtësia)… Dhe kjo ndodh ne SHBA, ku jetojnë së paku gjysmë milion shqiptarë.
Vendimi i Federatës “VATRA” për të mos marrë pjesë në Samitin e Ramës u mor nga strukturat e saj. Fillimisht ishte kryesia që e diskutoi pjesëmarrjen ose jo në këtë Samit ndërshqiptar të diasporës, siç e quan kryeministri. Me vota të hapura u vendos që “VATRA” të mos bëhej pjesë e një farse paraelektorale të Kryeministrit me argumentin, se pjesëmarrja dekorative në atë Samit nuk i shërben diasporës, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por vetëm partisë së Kryeministrit.
Edhe Këshilli Drejtues i “VATRËS”, i mbledhur, më 1 Tetor 2016, e la në fuqi vendimin e Kryesisë për mospjesëmarrje në Samitin e nëntorit, që po propagandon me aq zhurmë Edi Rama dhe instrumentet e tij këtu në Diasporë. Natyrisht që ka dhe vatranë, siç kishte dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, që mendojnë se “VATRA” duhet të marrë pjesë në Samitin e Ramës, me qëllim që ajo të mos “vetizolohej” apo “vetëpërjashtohej” nga samiti.
Argumenti i atyre që votuan “pro” shkuarjes ishte që “VATRA” të ishte pjesëmarrëse dhe t’ia thoshte në sy kryeministrit se ky Samit është thjeshtë një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai në tre vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën, jo vetëm kaq, por ia hoqi edhe zyrën konsullore në metropolin e Nju Jork-ut, kur kjo zyrë ka qenë e pranishme që në vitet ’20 të shekullit të shkuar (Edi Rama e mbylli ashtu siç kishte bërë diktatori Enver Hoxha), se ai s’ka bërë asgjë për të tërhequr investitorë nga diaspora, përkundrazi dhe ato pak biznesmenë që gjeti ua ka prurë në majë të hundës me vështirësitë fiskale dhe pasigurinë për të vazhduar punën normalisht.)
E vërteta është se ne emigrantët duhet t’ia bëjmë të ditur Ramës dhe gjithë shqiptarëve se nuk duam Shqipëri të mbytur nga krimi dhe mafia, një Shqipëri, të mbuluar nga droga, një Parlament, ku strehohen kriminelët etj.,… etj. Por ku dhe si t’ia thoshe Ramës të gjitha këto në një 5 minutsh, që ai ka vënë në dispozicion si për një individ, që plotëson formularin e tij, apo për një organizatë krahine apo fshati, po aq edhe për organizatat historike, siç është “VATRA” me 104 vite jetë në SHBA? Çfarë t’i thuash më parë Edi Ramës për 5 minuta në një Samit, që nuk është për Diasporën, por reklamë për atë vetë?
A nuk qe i atillë takimi me mjekët e diasporës në vitin 2013? Përveç fotografisë me kryeministrin, çfarë mbeti nga ajo paradë? Në ç’gjendje është sot shëndetësia shqiptare? Ku shkuan idetë që dhanë mjekët nga diaspora? Nga ky samit kanë për të mbetur pas: Fotografitë e Ramë (edhe në Fb), shëtitjet e planifikuara në qytetet turistike, dhe fjalimet e Ramës dhe të ministrave të tij.
Serioziteti i këtij Samiti duket që në formularin e propaganduar me aq zë nga ambasada në Ëashington dhe disa instrumente në shërbim të tij këtu në SHBA. Sipas formularit në Samitin e Ramës mund të shkojë kush të dojë si individ, ndërsa “VATRËS” i kanë bërë së fundmi dhe një ofertë bujare: Mund të vini edhe me dy përfaqësues! Çfarë ndreqi shtimi i një përfaqësuesi, kur secili person mund të plotësonte formularin dhe të shkojë në Tiranë si turist?
Mënyra se si po e organizon kryeministri Samitin është e dështuar që në nisje. Ashtu siç qeveris, pa pyetur kënd, po ashtu po e organizon edhe këtë Samit, pa e pyetur Diasporën se çfarë problemesh ka ajo, çfarë mendon ajo për punën e qeverisë në raport me diasporën, çfarë mendon ajo për keqqeverisjen që e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi, pa organizuar ndonjë anketë a sondazh. Kryeministri vetë vendos e vetë vulos, pa i përfillur grupet e interesit. Ky është modeli i tij i qeverisjes.
Ka zëra që thonë se “VATRA” nuk shkon në Samitin e Ramës, sepse mbështet opozitën, të cilën Kryeministri e ka përjashtuar nga Samiti, ashtu siç ka përjashtuar edhe institucionin e presidencës së Republikës së Shqipërisë.
Secili ka mendjen e vet dhe mund të arsyetojë ashtu siç ia thotë mendja, por “VATRA” i ka dalë për borxh kryeministrit socialist, edhe pse vetë Rama, nga foltorja e Partisë së Shpëtim Idrizit (Kongresi i PDIU, qershor 2016), u ankua se “Vatra më sheh si një njeri të dyshimtë”… Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe: Kryeministri e sheh Vatrën me dyshim. “VATRA” e takoi Kryeministrin Edi Rama, më 26 shtator 2013, në hotelin “Four Sizen”, në Manhattan, dhe e uroi për mandatin që i dhanë votuesit shqiptarë.
Kryetari i “VATRËS”, Dr. Gjon Buçaj, ndër të tjera i tha Kryeministrit Rama në prani të ambasadorit Ferid Hoxha dhe këshilltares së tij Ina Kuka: “Për zgjedhjet e 23 qershorit, shumica e vatranëve patën shprehur mendimin që proceset e integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i administratës qeveritare dhe, solidarë me shtresën e ish-të persekutuarve, kanë shprehur shqetësimin nga disa shenja recidive komuniste dhe zëra revanshiste të vërejtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist.
Megjithatë, kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani, njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe kalimin paqësor të pushtetit tek administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të mëparshme, arritje të suksesshme në dobinë e vendit e të kombit. “VATRA” do të mbështesë përpjekjet për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe, gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion konstruktiv kur ta shohim të nevojshme.”
“VATRA” i është përmbajtur fjalës së dhënë, ndërsa Kryeministri që premtoi bashkëpunim, Jo. “VATRA” ka vazhduar ta bëjë oponencën konstruktive, me deklarata e ka këshilluar Kryeministrin në prag-vizitat në Beograd, që të mos harrojë kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i ka kërkuar kryeministrit, që të mos bëjë deklarata delirante si ajo për kandidatin amerikan për president, republikanin Trump, i ka kërkuar që të pastrohet nga akuzat në SHBA për 80 mijë dollarët e Bilalit (ndoshta do ta ketë plotësuar formualarin për Samitin edhe Bilali. Pse jo?), i ka kërkuar që të pastrojë Parlamentin nga kriminelët dhe Shqipërinë nga mafia dhe kanabisi, i ka kujtuar ato çfarë i kërkoi “VATRA” në takimin e 26 shtatorit 2013, por Rama hesht.
Ai ka ardhur shpesh në SHBA, pas atij takimi me “VATRËN”, por ndërkohë që ka pasur kohë edhe të shkojë në Las Vegas, apo të festojë ditëlindje konsujsh nderi të pa miratuar, por nuk ka pasur kohë që të vijë t’i hedhë një sy “VATRËS”, nga e cila kanë dalë Kryeministra, ministra, ambasadorë, njerëz të shquar,…qofshin dhe të zakonshmit e sotshëm…Nuk është “VATRA” që e sheh me dyshim Kryeministrin, por ai largohet në mënyrë të dyshimtë “VATRËS”.
Në mbyllje të këtij editoriali dhe një pyetje për Kryeministrin: Përse nuk e organizoi këtë biçim samiti në fillim të mandatit, por në fund të tij? Çfarë do të bëjë për diasporën në këta pak muaj që i kanë mbetur të qeverisë? Asgjë, veç do ta kthejë këtë Samit në një paradë paraelektorale, ku ai dhe ministrat e tij do të bëjnë paradën e mos-sukseseve (jo të drogës, jo të krimit, jo të pasigurisë, jo të korrupsionit, jo të largimit masiv të shqiptarëve, që shtojën radhët e diasporës dhe pakësojnë popullsinë në vend, nuk do të flasë as për mungesën e konsullatës së shtetit shqiptar në SHBA, as për mungesën e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë është realisht në diasporë etj…
Ia pafsh hairin këtij Samiti farsë, i nderuar Kryeministër! /Nga Dalip GRECA, kryeredaktor i Gazetës “Dielli”/