Kandidati shqiptar për kryetar të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj është shprehur i bindur për fitore. Pavarësisht konkurrencës së fortë të partive malazeze, Gjeloshaj ka deklaruar se Tuzi do të qeveriset nga shqiptarët.
Tre partitë kryesore shqiptare në Malin e Zi, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar janë bashkuar në një listë të vetme nën moton “Malësia na bashkon”. Përveç koalicionit “Alternativa Shqiptare”, në garë për 32 vendet e këshillit komunual të Tuzit, nga ku do dalë edhe kryetari i komunës, janë edhe 5 subjekte të tjera politike vendase. Nik Gjeloshaj është kandidati i përbashkët i koalicionit shqiptar për kryetar të komunës Tuz. Pasi ka hedhur fletën në kuti, ai është shprehur i bindur se Tuzi do të qeveriset nga shqiptarët.
“Jemi të sigurt në fitore sepse ia kemi dalë të bashkojmë gjithë shqiptarët këtu, diasporën dhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Të gjithë shqiptarët i kanë sytë sot nga Malësia dhe besoj se do të marrin lajme të mira”, thotë Gjeloshaj.
Treva e Malësisë së Madhe me shumicë shqiptare, Tuzi, u shpall komunë shtatorin e kaluar pas përpjekjeve prej mbi 3 dekadash të partive shqiptare për t’u shkëputur nga administrimi si pjesë e Podgoricës dhe ka 40 fshatra.
“Jemi të bindur në fitore dhe do ta shohim shumë shpejt sa bindëse do të jetë”, shprehet Nik Gjeloshaj.