48 orë nga vënia në pranga, “fajdexhinjtë” e kapur në aksionin “Maranaj” në Shkodër, kanë dalë para Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër. “Togat e zeza” pritet të bëjnë vlerësimin e masës së sigurisë për 12 personat pasi të shqyrtohen provat e paraqitura nga prokuroria por edhe nga mbrojtja e secilit prej personave të kapur. Seanca ka nisur sot në orën 9 dhe sipas gjasave, do të zgjasë pasi të 12 personat do të dalin një nga një para gjykatësit të masës së sigurisë.
Aksioni “Maranaj”, u zhvillua në Shkodër me pjesëmarrjen e policisë, FNSH dhe RENEA dhe goditi një grup të madh që përmes fajdeve, dyshohet se ka shkaktuar mjaft probleme tek një numër i madh qytetarësh. Në mes personave të vënë në pranga është ish- kancelari i gjykatës, ish- drejtori i “Patentave” në Shkodër, ndërsa në skenë ka dalë edhe një notere tanimë e pezulluar dhe fëmijët e një ish- zyrtari të lartë rajonal.