Izet Haxhia do të gjykohet nga e para lidhur me dosjen “Hajdari”. Gjykata e Apelit ka vendosur sot të pranoj kërkesën e Izet Haxhisë për të hapur dosjen “Hajdari”. Sipas Apelit, Haxhisë, i është mohuar e drejta për t’u mbrojtur dhe për këtë, çmon se vendimi duhet prishur dhe kthyer për rigjykim. Në seancën e fundit qe u zhvillua në Gjykatën e Apelit, nëpërmjet avokatit të tij Bashkim Nikolla, Haxhia kërkoi që të bëhet hapja e plotë e shqyrtimit gjyqësor, si dhe prishja e vendimit për dënimin e tij me 25 vite burg, si një nga autorët e egzekutimit të deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.
Seanca filloi me një kërkesë të mbrojtjes për përjashtimin e trupit gjykues, i cili u caktua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor disa javë më parë, kjo pasi të gjithë gjyqtarët e Apelit, por edhe vetë mbrojtja, nuk pranonin gjykimin e kërkesës, për shkak të konfliktit të interesit. Me argumentin se ishin kolegë të bashkëshortes së Azem Hajdarit, Fatmira Hajdari, gjyqtare në këtë Gjykatë.
“Ne kërkojmë përjashtimin e trupit gjykues, pasi edhe në kërkesat e para që kemi bërë kemi kërkuar një trup gjykues që ka kaluar vetingun”, tha Nikolla, ndërsa treshja e Apelit të Krimeve, kryesuar nga Dhimitër Lara dhe anëtarë Ndue Drenin dhe Sokol Binajn, i dha rreth 45 minuta kohë që të përgatiste kërkesën me shkrim.
Gjykata dëgjoi pretendimet e mbrojtjes në lidhje me kërkesën për rigjykim dhe kundërshtimet e Prokurorisë. Ashtu siç edhe ka argumentuar gjatë seancave për vendosjen në afat të ankimit, avokati Bashkim Nikolla tha dje se ata kërkonin të merreshin në shqyrtim të gjitha provat që do të kërkonin, për të nxjerrë kështu të vërtetat e kësaj çështjeje. Sipas avokatit, fakti që dënimi ndaj klientit të tij është dhënë në mungesë, është një arsye pse kërkesa duhet të pranohet. Kështu, ai do ketë mundësinë të dëgjohet dhe mbrohet nga akuzat e ngritura.
“Ne kërkojmë që kjo gjykatë të shprehet si gjykatë themeli. Kërkojmë riçeljen e plotë të shqyrtimit gjyqësor, ku do të merren prova si ato shkresore dhe dëshmi të një sërë personash, që do të kërkohen nga ne”, tha avokati. Ndërkohë, nga ana tjetër, për Prokurorinë kërkesa e bërë nga i dënuari Izet Haxhia dhe avokati i tij për rigjykim, nuk duhet të pranohet. Sipas Prokurorisë, pas studimit të kërkesës, nuk janë parë arsye ligjore. “Unë nuk mendoj se ka vend për hapje të shqyrtimit gjyqësor. Kërkoj nga gjykata rrëzimin e kërkesës së të dënuarit”, tha prokurorja Fatjona Memçaj.
Gjatë seancave të zhvilluara në muajin qershor të 2018-ës, nëpërmjet avokatit të tij Bashkim Nikolla, Izet Haxhia tha se ka një numër provash të reja që do t’i paraqesë në gjykatë nëse rigjykohet. Në një nga seancat, Nikolla tha se në dosjen hetimore mungojnë disa prova që supozohet të ishin, p.sh. ditari i ish-ministrit të Brendshëm, Perikli Teta, si një provë e marrë në atë kohë me vendim gjykate, por që nuk gjendet në dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Avokati përmendi edhe dëshminë e shumë deputetëve dhe figurave publike, që kanë dijeni dhe mund të japin të dhëna të vlefshme për zbardhjen e asaj që quhet “vrasja e shekullit”.
Gjatës seancës së djeshme në Apelin e Tiranës, Izet Haxhia, duke folur para gjykatës, kërkoi pranimin e kërkesës së tij, në mënyrë që të dëgjohet, pasi është dëshmitar i “dorës së parë” për këtë çështje. Haxhia nuk la pas edhe akuzat politike për prokuroren dhe sistemin e drejtësisë në vend, ndërsa hodhi sërish akuza për ish-Kryeministrin Sali Berisha. “Është e drejta ime të dëgjohem, edhe në bazë të konventave europiane”, tha ndër të tjera Izet Haxhia.
Pas përfundimit të seancës, për mediat ka folur avokati i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla, i cili tha se kërkesa e tyre për një trup gjykues që ka kaluar vetingun bëhet që më vonë të mos cenohet vendimmarrja. “Janë tri pika kyçe të standardit: ai moral, profesional dhe korruptiv. Përderisa nuk është kaluar kjo, atëherë nesër na cenohet vendimmarrja”, tha Nikolla. Më tej, ai shtoi se kërkesa për një shqyrtim të plotë të provave dhe fakteve do të nxirrte në dritë të vërtetën. “Pretendimi ynë për të vërtetuar me mjete ligjore pafajësinë nuk mund të jetë i pjesshëm. Rrethanat, dëshmitarët, faktet, provat, t’i shqyrtojë gjyqësori në një mënyrë pjesore sepse do të dilte në një vendim të paplotë”, përfundoi ai. /PanoramA/