Prej momentit që u zgjodh si zëvendëskryeministre, ishin të shumtë ata që mendonin në Shkodër e më përtej se Senida Mesi po bënte “nxemjen” për të hyrë në garë për kryetare bashkie në Shkodët në vitin 2019. Por shkarkimi i saj nga ky post, duket se ka larguar disi mundësinë që Mesi të kandidojë për këtë post të rëndësishëm. Në shumë studio televizive në Shkodër apo Tiranë, Mesi është vetëofruar si kandidate por deri tani nuk ka asnjë shenjë më shumë në drejtim të kandidimit të saj.
Ndërkohë, burime nga selia e PS Shkodër bëjnë me dije se javët e fundit ka nisur të artikulohet një tjetër emër si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Shkodrës. Me rikthimin në organizimin PS-së Shkodër, Ditmir Bushati ka nisur të lëvizë. Hapi i parë ishte ndryshimi i lidershipit lokal, ku duket se Edmond Emini ishte zgjedhja e tij për drejtimin e degës së Shkodrës. Nga ana tjetër, Bushati ka nisur të lëvizë edhe për kandidatin e mundshëm për Bashkinë e Shkodrës. Mësohet se Astrit Beci, aktualisht drejtor i Drejtorisë së Shendetit Parësor në Shkodër, është më i favorizuari.
Ish- deputeti socialist, ka qenë për një kohë edhe drejtor i përgjithshëm i Insitutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor në kohën kur ministër ishte Ilir Beqaj. Madje, aktualisht ky i fundit bashkë me Ditmir Bushatin janë duke amplifikuar Becin si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Shkodrës. Në një farë mënyre, Beqaj është garanti i kandidimit të Becit, duke ditur se ish- ministri i shendetësisë është mik që nga koha e sportit me kryeministrin Rama, i cili ka ekskluzivitetin e përcaktimit të kandidatëve. Megjithatë, pritet të shihet përzgjedhja finale, duke ditur se kryeministri vendos në momentin e fundit për çdo gjë dhe në një kohë kur PD akoma nuk ka vendosur nëse do të hyjë ose jo në zgjedhjet e 30 qershorit.