Mediat tradicionale dhe ato online i kanë bërë jehonë një postimi në rrjete sociale të ambasadorit austriak në Tiranë Johann Sattler. Natyrisht, duke bërë një “lidhje të shkurtër”, të gjithë e konsideruan si përgjigje të ambasadorit për kryebashkiaken e Shkodrës Voltana Ademi. Pak orë më parë, qytetarja e parë e Shkodrës kishte artikuluar idenë e Komisioneve Ndërkombëtare për qeverisjen e bashkive në vend, duke marrë si shembull qeverisjen në dy etapa të Shkodrës nga ndrëkombëtarët. Nuk është aspak e vështirë të kuptohet se mesazhi nuk i drejtohet direkt Ademit.
Mjafton të shqipërohet shënimi disa rreshtash i kumtit të ambasadorit, i cili mesa duket ka nisur pushimet verore, siç e lë të kuptohet në këtë tekst të publikuar. “Do isha i lumtur të diskutoja. Por 2019 nuk është 1913. Shqipëria aspiron të hapë negociatat me BE. Kjo kërkon aftësinë për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë nevojiten dy gjëra: Sezoni i konfliktit duhet të ndiqet nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duan të shkojnë me pushime me mendje të qetë”, shkruan Sattler.
Ata që e njohin nga afër e dinë se diplomati austriak, përveç se një njohës i mirë i shqipes dhe i traditave tona, është një person që shquhet për humorin e batutat e tij. Humori është aftësi e njerëzve të zgjuar. Kaq pak informacion do të kishte mjaftuar për të lexuar qartë mesazhin e Sattler.
Ambasadori e di mirë historinë e Komisionit Ndërkombëtar në Shkodër dhe natyrisht, mesazhi është për klasën politike, specifikisht për ata që kanë në dorë fatet e këtij vendi. E normalisht, në 2019-ën fatet i ka në dorë Edi Rama e deri diku, edhe Lulzim Basha. Sigurisht, jo Voltana Ademi. Në 1913-ën Shqipëria ishte e pavarur, ndërsa sot ajo aspiron hapjen e negociatave me BE-në. Edhe këtu, qeverisja vendore apo kryebashkiakët, kanë një rol të parëndësishëm, sidomos në kushtet e krijuara pas 30 qershorit. E ky kumt, është përsëri për ata që me verpime apo mos veprime, ndikuan në krijimin e situatës aktuale. E për të vijuar me fjalët e Sattler, “aftësia e zgjidhjes së problemeve politike” është në dorën e atyre që i kanë krijuar e normalisht, nuk është kryebashkiakja e Shkodrës në mes tyre. E porosia “sezoni i konfliktit duhet të ndiqet nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve, shqiptarët duan të shkojnë me pushime me mendje të qetë” është një mesazh i qartë për klasën politike kombëtare e specifikisht, për Ramën, Bashën, Kryemadhin e të tjerët.
Për të gjithë ata që duan të kuptojnë diçka nga mënyra e komunikimit të diplomatëve, ata asnjëherë nuk shkruajnë drejtpërdrejtë opinionet, mendimet e perceptimet e tyre. Përndryshe, diplomacia nuk do të ishte “gjuha” që lëviz botën përpara ose mbrapa…
Natyrisht, mediat tradicionale dhe ato online, manovrojnë në emër të rritjes së audiencave. Meqenëse Ademi është personazhi ndoshta më aktiv i javëve të fundit, postimi i një ambasadori austriak (dihen marrëdhëniet tradicionale me Shkodrën), impakti i audiencës do të jetë shumë më i lartë nëse këto asociohen bashkë. E së fundi, nëse Sattler do të kishte dashur ti përgjigjej kryebashkiakes së Shkodrës, do të kishte përdorur gjuhën shqipe, madje dialektin e embël gegë që ai e përdor mjaft mirë. Gjuha angleze, është gjuha e diplomacisë, me të cilën u drejtohen të gjithë ndërkombëtarët politikanëve tanë në nivel kombëtar! “I bihet penxheres që të dëgjojë dera”, thonë në Shkodër. /ShkodraWeb/