Shënim i ShkodraWeb
Në takimin e zhvilluar sot në Velipojë për projektin e mbrojtjes së deltës së lumit Buna, ishte parashikuar të ishte e pranishme edhe Senida Mesi, zëvendëskryeministrja e vendit. Takimi që sot u zhvillua në bregdet, në fakt ishte menduar të zhvillohej në mesjave në mes të Shkodrës. Por në minutat e fundit ndryshoi agjenda me justifikimin publik se “të enjteve politikanët janë në Kuvend”. Takimi në fakt u zhvillua edhe pa praninë e Klosit e po atë ditë u tha së të shtunën, pra sot, do të ishin në Velipojë ministrat Klosi e Bushati si dhe Senida Mesi.
Sot kjo e fundit nuk u pa në Velipojë. Realisht, nga emërimi në këtë post të lartë, daljet publike të Mesit janë pakësuar ndjeshëm. Edhe po ti hedhësh një sy faqes së saj në FB ku stafi i publikon foto nga aktivitetet, Shkodra shihet shumë rradhë. Postimi i fundit i takon datës 30 dhjetor 2018, ku shfaqet në një festë me mbështetës socialistë në ZAZ 3 të Shkodrës që e konsideron si zonën e saj elektorale. Në këtë takim ajo shihet e vetme, pa asnjë deputet tjetër dhe madje as me liderë lokalë të PS-së në krah. Nga ajo ditë, Mesi njoftonte me një tjetër postim ne FB se me 20 janar “Shihemi n’Shkodër, sepse Shkodra asht dashni!“, duke shpërndarë një video për pyllëzimin e Taraboshit. Ndërsa sot u njoftua se do të ishte në Velipojë bashkë me dy ministrat Klosi e Bushati por faktiisht shfaqet në një takim me rastin e 95-Vjetori i Ditës së Shërbimit Pyjor.
Ata që ndjekin portalet informative dhe disa faqe në FB, vënë re se numri 2 i qeverisë po sulmohet. Nuk ka dyshime se sulmet i vijnë nga brenda “familjes”. Tanimë është thuajse zyrtare se “uniteti” i fushatës elektorale të 25 qershorit në mes 4 kandidatëve të parë- sot deputetë, nuk ekziston më. Dalja e fundit, e detyruar ishte ajo gjatë mbledhjes së qeverisë në Velipojë. Është e qartë se kemi të bëjmë me çështje protagonizmi politik në “familje”, por tashmë edhe brenda vetë rradhëve të PS-së po flitet me zë të lartë për ftohje të marrëdhënieve. Ka një “përballje të ftohtë” në mes Bushatit e Mesit e cila u evidentua që me rastin e Krishtlindeve në Shkodër e në vijim.
Në “lojë” është influenca brenda PS-së, por edhe emërimet e mundshme ku secili kërkon një pjesë sa më të mirë të “tortës”. Në prapaskenë duket se ka edhe një individ tjetër, i cili pavarësisht se i dha “një dorë” për të hyrë në politikë Mesit, duket se vuan nga “xhelozia politike” ose është pozicionuar për interesa individuale me Bushatin nën sloganin “armiku i armikut tim është miku im”. Ky individ, i cili në fakt nuk ka nevojë të identifikohet më shumë, ka jo pak peshë edhe mediatike- sociale e “bataretë” ndaj Mesit duket se kanë atë zanafillë. Fizikisht në qeveri por edhe virtualisht në parti, Mesi dhe Bushati kanë në mes kryeministrin Edi Rama. Cili është qëndrimi i tij për këtë kontradiktë, nuk është akoma e qartë. Por deri atëherë me vetëzgjedhje apo me imponim, Senida Mesi po mbahet larg Shkodrës…