Dusan Kerkez, trajneri i AEL Limassol ka zhvilluar konferencën për shtyp në mjediset e Hotel “Rozafa” në Shkodër ku ekipi qipriot është akomoduar nga dita e djeshme. Fillimisht, ishte menduar që konferenca të zhvillohej si zakonisht në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” në orën 20.15 dhe më pas të zhvillonte stërvitjen e fundit në fushën shkodrane.
Arsyeja e këtij vendimi ka qenë mungesa e interesit të mediave shqiptare për të qenë të pranishme në konferencën për shtyp të qipriotëve. Atëherë, është menduar që konferenca të zhvillohej në sallën e hotelit, vetëm me praninë e gazetarëve qipriotë që kanë shoqëruar ekipin në Shqipëri. Trajneri Kerkez ka folur për ndeshjen, duke thënë se do të jetë e vështirë dhe gjithçka do të vendoset në fund të 90 minutave.
“Ne duam të luajmë me njerëz në stadium. Unë kam besim te lojtarët e mi. Kam lojtarë të cilët kanë luajtur në kampionate të mëdha”, tha ai, duke insistuar se këta lojtarë ishin mësuar me atmosfera të tilla gjatë karrierës së tyre.
Ai ka vlerësuar Vllazninë si një kundërshtar të denjë, por edhe i mbështetur fort nga tifozët e zjarrtë. Lidhur me anulimin e stërvitjes së paradites, ai ka thonë se u pa e arsyeshme të mos realizohej për shkak të temperaturave shumë të larta në Shkodër. Megjithatë, futbollistët janë stërvitur në palestër sipas një programi të mirëpërcaktuar, teksa kanë patur mundësi të shohin edhe Shkodrën pas drekës.
“Ne kemi një ndeshje të dytë ndaj një ekipi të mirë. Do të bëjmë gjithçka që të kalojmë. Kemi një apo dy probleme, por për momentin vetëm ndeshja e nesërme ka rëndësi. Gaboni nëse mendoni se do të kalojmë kohën duke u mbrojtur. Duhet të luajmë gjithmonë futboll dhe kemi planin tonë për këtë ndeshje”, tha ai.
Të enjten, në “Loro Boriçi” AEL Limassol do të ketë përballë Vllazninë, të cilën e ka mundur minimalisht në Qipro në ndeshjen e parë. Kuqeblutë janë të karikuar e optimistë, ndërsa mysafirët shpresojnë në një rezultat që do ti sigurojë kualifikimin. Të paktën, sipas trajnerit të tyre Dusan Kerkez. /ShkodraWeb/