Bashkia e Shkodrës i është përgjigjur Partisë Socialiste lidhur me publikimin e listave të zgjedhësve për 6 mars 2022, kur do të votohet për kryebashkiakun. Në një publikim në faqen zyrtare në Facebook, Bashkia Shkodër bën me dije se afishimi i listave përfundimtarë të zgjedhësve është detyrim i KZAZ-ve.
“Presidenti i Republikës, ka dekretuar me 6 mars 2022 zgjedhje të pjesshme vendore në 6 bashki, mes të cilave edhe në Bashkinë e Shkodrës. Afati 45 ditor i zhvillimit të këtyre zgjedhjeve, përcakton procedurat ligjore të shkurtuara që ndiqen në raste të zgjedhjeve në këtë afat.
Sipas përcaktimeve të Nenit 33 të Kodit Zgjedhor, në paragrafin “Detyrat e KZAZ-së”, pika ç) përcaktohet se “KZAZ-ja afishon në një vend të dukshëm listat përfundimtare të zgjedhësve, dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe të dhëna të tjera, që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve në zone”.
Sqarojmë se është detyrë e KZAZ-ve afishimi i listave përfundimtare të zgjedhësve dhe jo e njësive të qeverisjes vendore. Listat përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 mars 2022, janë gjeneruar me date 25 janar 2022 ndërsa konstituimi i KZAZ-ve në Bashkinë e Shkodrës është kryer sot, ditën e premte, me date 28 janar 2022.
Më herët, Partia Socialiste në Shkodër ka akuzuar kryebashkiaken e Shkodrës Voltana Ademi se nuk ka miratuar dhe shpallur listat e zgjedhësve sipas vendimit të KQZ. Zëdhënësi i PS Shkodër Erion Metushi i bëri thirrje Ademit të miratojë e shpallë menjëherë listat dhe të mos bëhet pengesë për procesin.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e datës 22.01.2022 ka miratuar afatet për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie që do zhvillohen me 6 Mars, ku në pikën numër 3 të njoftimit zyrtar për afatet nga KQZ shkruhet: Zyrat e Gjendjes Civile hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 25 Janar 2022.
Ndërkohë që brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit kryetarët e njësive vendore i miratojnë dhe i shpallin listat sipas nenit 48 të Kodit Zgjedhor. Bashkia Shkodër, që në nisje të këtij procesi është jashtë afateve ligjore. Listat duhet të ishin miratuar dhe shpallur që ditën e enjte datë 27 Janar, por dhe pas 24 orëve ky detyrim nuk është përmbushur.
Partia Socialiste Shkodër i bën thirrje znj. Voltana Ademi që të respektojë detyrën që Kodi Zgjedhor i ngarkon. Të miratojë dhe shpallë menjeherë listat e zgjedhësve dhe të mos bëhet pengesë, në mbarëvajtjen e këtij procesi. Gjithashtu ftojmë institucionet dhe palët politike të përfshira në procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kreun e bashkisë Shkodër, që të jenë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese në garantimin e zgjedhjeve me standard dhe qytetari.”, thuhej në deklaratën e PS së së lexuar nga zëdhënësi Erion Metushi.