Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri, ka deklaruar se Lulzim Basha do të dorëhiqet javën e ardhshme, pasi nuk ka më mbështetjen e thuajse askujt në PD, përfshirë grupit parlamentar dhe kryetarëve të degëve.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” , Xhaferri theksoi se ka informacione se Basha do të ikë me dorëheqje dhe nuk do të kthehet më.
Xhaferri: Ka një kohezion gjithëpërfshirës nga qendra deri në bazë, përfshirë kryetarët e degëve, që Basha duhet të ikë.
Ai bën lojën e tij meskine, duke thënë që jam vënë në dispozicion të zgjidhjes. Në dispozicion do të thotë të japësh menjëherë dorëheqjen. Nuk u gjend asnjeri në grupin parlamentar që të thoshte mos ik. Madje edhe vetë Basha tha do të iki. Ka një mirëkuptim njerëzor, që t’i lihet pak kohë dhe të ikë me dorëheqje.
Basha do të ikë me dorëheqje dhe nuk do të kthehet më. Flas me informacion. Sot ishte i dërguari special i kancelarit gjerman për Ballkanin dhe nuk e takoi Bashën, por takoi Alibeajn.
Ai deri diku është futur në rrugën e largimit. Unë besoj që brenda javës që vjen Basha largohet.