Një aksident është regjistruar pasditen e sotme në aksin Shkodër- Koplik. Mësohet se një mjet i një shtetasi malazez me kombësi shqiptare është përplasur me një makinë Golf 5 të drejtuar nga një banor i Koplikut të Sipërm.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Grizhe, në territorin e Malësisë së Madhe. Si pasojë e përplasjes, një grua ka përfunduar në spital, sipas burimeve, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, drejtuesi i njërit mjet, punonjës i MZSH Malësi e Madhe, është arrestuar pasi ka rezultuar në gjendje të dehur.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzore. Shpesh herë aksi Shkodër- Koplik ka regjistruar aksidente edhe me pasoja fatale.
Mosrespektimi i rregullave të qarkullimir rrugor është shkaku kryesor por edhe mungesa e ndriçimit rrugor në shumë segmente. Kjo rrugë është mjaft e frekuentuar sidomos fundjavave, drejt zonave turistike malore por edhe për lëvizjen drejt Malit të Zi dhe anasjelltas.