Të paktën 32 persona humbën jetën dhe 85 të tjerë mbetën të plagosur, pas një aksidenti tragjik në Greqi, ku dy trena u përplasën me njëri-tjetrin.
Sipas zëdhënësit të shërbimit zjarrfikës, Vassilis Varthakogiannis, në njërin prej trenave ishin mbi 350 udhëtarë, ndërsa tjetri ishte tren mallrash. Përplasja kokë më kokë ndodhi pak para mesnate, me orën lokale greke, në Tempi, pranë qytetit qendror Larissa.
Varthakogiannis shtoi se po punohet për të nxjerrë personat e tjerë nga vagonët. Në terren ndodhen 150 zjarrfikës me 17 mjete, si dhe 20 ambulanca.
Treni i udhëtarëve ishte nisur nga Athina për në Selanik, shtoi Varthakogiannis.