Të tjera detaje kanë dalë ditën e sotme lidhur me aksident me dy të vdekur ndodhur para dy ditësh në afërsi të Maminasit. Policia e Durrësit ka dërguar në prokurori dosjen hetimore të aksidentit, duke hedhur poshtë aludimet se 23-vjeçarja që mbeti e vdekur kishte lidhje shoferin e makinës që përplasi taksinë.
Në dosjen hetimore mësohet se drejtuesi i ‘Benzit’ që shkaktoi aksidentin e rëndë, Fatjon Zhapori, nuk ka lidhje me 23-vjeçaren, duke hedhur poshtë dyshimet se ngjarja mund të ishte vrasje dhe jo aksident.
Nga hetimet e bëra nga policia, shkak i aksidentit të rëndë dyshohet se janë shpejtësi e lartë dhe parakalimi i gabuar i ‘Benzit’ që drejtohej nga Zhapori, çka ka bërë që të godasë taksinë, duke e nxjerrë nga rruga dhe më pas të përfundonte në një karburant.
34-vjeçari, Zhapori është shpallur në kërkim, pasi është larguar nga vendi i ngjarjes pas aksidentit të ndodhur, ku mbeti i vdekur edhe taksisti.
Po ashtu, hetuesit kanë dyshime të forta se bashkë me Zhaporin në makinë tip ‘Benz’ ka qenë edhe një person tjetër, pasi në sediljen e pasagjerit kanë gjetur gjurmë gjaku.