Nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër, në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e territorit, identifikimin, dokumentimin, parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit”, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, pas një pune të mirorganizuar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Emanuel Luca, 21 vjeç, banues në Jubicë, Koplik dhe Emirjan Cufaj 46 vjeç, banues në Llazan, Koplik, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”;
Lorenc Rushaj 27 vjeç, banues në Bajze, Malësi e Madhe, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në një lokal në Koplik ushtrohej aktivitet i jashtëligjshëm i lojërave të fatit dhe përdoreshin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontroll të menjëhershëm të ambientet e këtij lokali, ku gjetën makineri për lojërat e fatit, një tavolinë pokeri me letra bixhozi dhe çipsa.
Gjithashtu, gjatë kontrolli të ushtruar në ambientet e ndryshme të lokalit u gjetën disa qese farmaceutike me lëndë narkotike cannabis sativa dhe një peshore e vogël. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Lorenc Rushaj iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis.
Si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 160 doza me lëndë narkotike cannabis sativa, një sasi e vogël lënde narkotike në formë çokollate, 5 makineta për lojërat e fatit, 1 tavolinë pokeri, 1 kuti me çipsa dhe 4 aparate celulare.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.