Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për shtyp se harta e re gjyqësor është një akt i papërgjegjshëm.
“Është një ndëshkim i ri për qytetarët, një rrënim i të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një proces të rregullt gjyqësor.
Pas përgjysmimit të gjykatësve dhe prokurorëve me pseudoreformën e drejtësisë dhe vetingun si gjah shtrigash, vendosjen e saj në kontroll të plotë të ekzekutivit, krijimin e një stoku prej 110 mijë dosjesh gjyqësore dhe mohimi i të drejtës për një proces gjyqësor, Edi Rama urdhëroi me një akt të papërgjegjshëm, KLGJ-në e partisë që të mbyllë 18 gjykata në shkallë vendi.
Kështu, me hartën gjyqësore e re gjyqësore të Edi Ramës mbyllen 9 gjykata të shkallës së parë dhe mohohet aksesi në sistemin e drejtësisë në 9 qytete.
Mbyllen katër gjykata administrative dhe mbetet vetëm një gjykatë në Tiranë dhe një në Lushnje.
Mbyllen 5 gjykata të Apelit dhe mbetet vetëm Apeli i Tiranës, praktikë kjo 100 përqind e dështuar pasi u eksperimentua në vitin 1999 nga qeverisja e PS.
Me këtë vendim, gjobiten dhe ndëshkohen banorët e 10 qyteteve të vendit, që duhet të udhëtojnë edhe qindra kilometra për të shkuar në gjykatën e rrethit tjetër.
Duke rritur kështu shumë shpenzimet e udhëtimit, hoteleve për këta qytetarë si dhe shpenzuar kohën e tyre, por deri diku duke u mohuar edhe eksesin në sistemin e drejtësisë.
Miratimi i hartës së re gjyqësore është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, që mbrohen me Kushtetutë. Mbyllja e shumë gjykatave cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit. Bën që gjykatat në numër të konsiderueshëm të mbeten të paaksesueshme për qytetarët.
Vendimi i KLGJ dhunon edhe të drejtat e grupeve të interesit. Avokatët, ekspertët kontabël, ekspertët psikologë, ekspertët vlerësues, noterët, ndërmjetësit, etj.
Harta e re e gjyqësorit vjen në kundërshtim flagrant të rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë, që kërkon shprehimisht që harta e gjyqësorit të marrë në konsideratë mendimet e grupit të interesit dhe të përmirësojë cilësinë në gjykata për procesin e duhur gjyqësor.
Në të vërtetë, harta e re e hedh poshtë këtë kërkesë të rezolutës së Parlamentit Europian,” tha Berisha.