Aktorja Rita Gjeka feston sot ditëlindjen. Mosha nuk ka aspak rëndësi pasi vitet për të janë thjesht numra. Rita Gjeka, ka krijuar një galeri të madhe rolesh në skenë dhe më pak në kinematografi.
Rita Gjeka ka interpretuar me profesionalizëm si në dramë ashtu edhe në komedi, edhe pse duket se e gjen më shumë veten në interpretimin e dramës.
Gjeka ka përfunduar në Shkodër gjimnazin “Jorda Misja” për tu diplomuar më pas në Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve. Për më shumë se 38 vjet ka qenë aktore e teatrit “Migjeni”. Për rreth 7 vite, ajo ka drejtuar edhe teatrin “Migjeni”, si drejtore, duke ia rikthyer shkodranëve këtë institucion, me gjallërimin e trupës dhe vënien në skenë të veprave të shumta. Rita Gjeka është “Mjeshtre e Madhe”.
Më poshtë, një intervistë e para rreth dy viteve (2022), pikërisht në prag të ditëlindjes së saj që e feston edhe sot. Edhe 100 Rita Gjeka!
“Të shkosh për aktore është kollaj, me bë aktoren në atë periudhë, nuk ka qenë e thjeshtë… ndoshta edhe prej opinionit”. Kështu e kujton me nostalgji aktorja shkodrane Rita Gjeka, zanafillën e aktrimit për të.
Aktorja që sot numëron një galeri rolesh kthehet pas në kohë dhe kujton rolin e saj të parë në vitin 1985 në Teatrin Migjeni të Shkodrës, te shfaqja “Shtëpia e Bernarda Albës”.
“Kam filluar punën më 15 gusht 1985 në Teatrin Migjeni si aktore dhe po atë vit kam bërë rolin e parë, kryerol në ‘Shtëpia e Bernarda Albës’. E bukura ishte se unë e kisha punuar si punë diplome”, shprehet aktorja Gjeka, ndërsa thekson edhe frikërat që e shoqëronin në fillesat e saj. “Frika ime në atë kohë ishte se të gjitha vajzat që kisha për të interpretuar në role ishin më të mëdha se unë në moshë dhe këtë unë e kisha shumë problem”.
Që prej rolit të parë, ajo tanimë ka 36 vjet në Teatrin “Migjeni”, me të cilin ka krijuar edhe një lidhje shpirtërore me të.
“Teatri “Migjeni” është shtëpia më mikpritëse për një artist, dhe vazhdon të jetë, ai di vërtet me dasht”, shprehet ajo, ndërsa shton se “Kur kam shkuar te Teatri Migjeni kanë qenë 37 aktorë”.
Artistët kanë gjithmonë momente që shenjojnë jetën e tyre. Për të momenti që e veçon me nostalgji është kur ka marrë çmimin e parë në një festival teatrosh.
“Mbaj mend me nostalgji çmimin e parë në një festival teatrosh në Tiranë në vitin 1990 dhe ma ka dhënë aktorja e madhe, Mimika Luca. Unë mbaj mend jo emocionin që kam pas unë, por emocionin që kishte ajo”, kujton aktorja Gjeka.
Ndërsa flet për teatrin dhe evolucionin e tij ndër vite, ajo i mëshon faktit se teatrin e bën regjisori pasi siç shprehet vetë ajo “babai i teatrit është regjisori”.
“Puna e vazhdueshme me regjisorë të ndryshëm, sidomos në periudhën post-komuniste, mua më ka rrit jashtëzakonisht profesionalisht sepse kam arrit të kuptoj një gjë; nuk ka vetëm një shkollë teatri. Teatri nuk është një shkollë e vetme, teatri në fakt është regjisori, babai i teatrit është regjisori. Dy regjisor të ndryshëm e trajtojnë ndryshe një shfaqje. Në vitet e fundit ishte privilegji im të zgjidhja regjisorët, kam punuar me regjisorë shqiptarë dhe ballkanikë, si Dino Mustafiç, me Fatos Berishën, Kushtrim Bekteshin, Altin Bashën etj. Këto emra janë të gjitha të ndryshme si shkolla, me çdo regjisor të ri ndjehem sikur i shtoj vetes edhe një shkollë”, shprehet aktorja.
Si aktore e dy brezave, para viteve ’90 dhe pas, ajo e pranon se teatri ka evoluar shumë, dhe thotë se privilegji i të rinjve të sotëm është se rriten më shpejt profesionalisht se aktorët e dikurshëm.
“Për mua sot të rëndësishëm janë të rinjtë. Ata përveç shkollës që kanë bërë, po bëjnë edhe disa shkolla të tjera dhe kjo është e rëndësishme për ta. Ata rriten profesionalisht shumë më shpejt se jemi rritur ne në kohën tonë”, vijon më tej ajo.
Në jetën e saj artistike, ajo është përballur edhe me vështirësi, teksa kujton kalimin nga komedia në dramë, gjë që i është dashur ta bëjë shpesh gjatë viteve të karrierës.
“Unë kam qenë edhe aktore e komedisë dhe aktore e dramës. Kjo ka pas vështirësi se të kalon nga njëri skaj në tjetrin”, vijon më tej aktorja Gjeka por në shumë raste ky kalim edhe e ka ndihmuar.
Teksa e pyes nëse do të veçonte ndonjë rol si më të dashurin për të, ajo shpejt të përgjigjet me humorin tipik shkodran ‘rolet janë si kalamajt, nuk i ndan dot’, por roli që ka shënjuar jetën e saj artistike është monodrama: “Seks, faleminderit sa për ta provuar” e shkrimtarit italian Dario Fo, të cilën e ka përkthyer vetë ajo.
Kjo monodramë me një titull të goditur, mund të çonte edhe në paragjykime, por aktorja e kujton me krenari për suksesin që ka pasur.
“Monodrama ‘Seks, faleminderit sa me e provu’ është një ndër rolet e mia më të dashura. Pavarësisht se kam punuar shumë për të arritur deri aty, se sigurisht nuk është e thjeshtë të flasësh 1 orë e një çerek dhe të bësh spektatorin të qajë e të qeshi. Monodrama është 90% komedi dhe 10% tragjike dhe për këtë më ka ndihmuar gjithë eksperienca ime që edhe kam bërë humor edhe kam luajtur tragjedi. Me këtë monodramë, kam shkelur çdo cep të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. E kam interpretuar disa herë edhe në Itali, e kam dhënë 70 herë, dhe sa herë do ta jap nuk e di. Kjo është një nga rolet që kam pas shumë spektatorë”, përfundon ajo.
Përpos karrierës së gjatë artistike që mban mbi supe, ajo vazhdon ende të jetë aktive, si drejtoreshë e Teatrit “Migjeni”, por edhe në çdo shfaqje si pjesë e repertorit.