Në një bisede të shkurtër telefonike mesditën e të shtunës, prokurori Bujar Sheshi i tha BIRN se do të reagonte kur të merrte dokumentet zyrtare, por kundërshtoi akuzat në media dhe nga Partia Demokratike se kanë qenë bashkëpunëtor i policisë sekrete.
“Është shpifje, nuk kam qenë kurrë anëtar i Sigurimit të Shtetit,” tha ai.
Prokurori Bujar Sheshi ka një karrierë të gjatë si jurist dhe përfaqësues i institucionit të akuzës në Shqipëri. Në vitet 1994-1997, ai ka punuar si avokat. Për më shumë se një dekadë mes viteve 2003-2015 ai ka punuar si prokuror i çështjeve të Gjykatën e Lartë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që në janar 2015 është emëruar si prokuror pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
Më 11 dhjetor 2018, Sheshi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Si pjesë e vlerësimit të kandidaturës së tij, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku i ka kërkuar Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit me datë 26 tetor 2018, verifikimin e figurës së tij.
Me datë 22 janar, Autoriteti i ka marrë një vendim për të informuar Prokurorin e Përgjithshëm, se nga kontrolli i cilësive etike, morale dhe profesionale të zotit Bujar Sheshi, ka rezultuar se ai rezulton në dokumentet e ish-Sigurimit si bashkëpunëtor në kohën kur ka qenë nxënës në gjimnazin Petro Nini Luarsi në Tiranë, por nuk disponohen dokumente për rolin e tij. Gjithashtu, i njëjti vendim nënvizon se Sheshi figuron në të njëjtat dokumente si anëtar me detyrë hetues, në Hetuesin e Degës së Punëve të Brendshme Fier.
Ky vendim i Autoritetit është miratuar me shumicë votash. Në favor të vendimit kanë votuar kryetarja Gentiana Sula dhe anëtarët Altin Hoxha dhe Simon Miraka. Kundër vendimit është rreshtuar Dr. Marenglen Kasmi.