Frikë dhe shqetësim mes bluzave të bardha në qytetin e Durrësit, ku deri tani është një person i parë i konfirmuar me COVID-19, e dyshimet janë se 75-vjeçarja e cila kishte ditë e shtruar në spitalin e qytetit, mund të ketë infektuar edhe shumë persona të tjerë. Një pjesë e madhe e stafit mjekësor të Spitalit të Durrësit, kryesisht ata që kanë pasur kontakt me të moshuaren e prekur dhe i kanë shërbyer, po kryejnë analizat.
Katër pjesetarë të stafit që kanë pasur takime dhe kontakte më të shpeshta me të, janë urdhëruar të mos i afrohen spitalit dhe u është dhënë leje nga puna deri në një moment të dytë, në bazë të analizave dhe vlerësimit të situatës. Burimet thanë se stafi mjekësor po punon i shqetësuar në Durrës. Sakaq, sot raportohet se me urdhër të bordit drejtues, 380 personave që kanë mbërritur nga Italia mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit, u është kërkuar të vetëkarantinohen.