Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar ka zgjedhur me 9 vota pro, gazetarin Alfred Peza si Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së.
Ishin 6 kandidatë që garonin për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, por vetëm 4 prej tyre u kualifikuan me votim të fshehtë nga anëtarët e Këshillit Drejtues, kryesisht: Alfred Peza, Laureta Roshi, Enrik Mehmeti dhe Helidon Haliti, por ky i fundit u tërhoq nga gara për arsye shëndetësore.
Kandidatët shpalosën para Këshillit Drejtues platformat e tyre për pozicionin për të cilin po kandidonin, ndërsa 15 minuta të tjera iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Këshillit.
Dhe pas një votimi të fshehtë, Këshilli Drejtues zgjodhi Alfred Pezën si Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së. Peza është një nga emrat e njohur të gazetarisë dhe mediave pas vitit 1990. Ai ka punuar si gazetar dhe në pozicione drejtuese në shumë media kombëtare. Për një mandat 4 vjeçar, ai ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë.