Propagandë ose jo prania e ministrit të brendshëm shqiptar në Liban, Alvin Berisha u lirua nga kampi në Siri falë ndërhyrjes së shtetit italian dhe strukturave të tij. Pjesë e gjithë veprimit, ka qenë edhe një zyrtar shqiptar, i cili përveç se ka mbajtur në dorë pasaportën shqiptare të Alvinit që u përgatit me shpejtësi në Tiranë, ka patur rolin e garantit se fëmija është shtetas shqiptar. Kjo vërtetuar përmes disa shkresave nga Tirana dhe selia diplomatike shqiptare në Turqi.
Sandër Lleshi natyrisht ka qenë në dijeni të aksionit për lirimin e Alvinit, por ka pritur atë në Liban, pa u futur në territorin e Sirisë. Pavarësisht se pala italiane flet për një bashkëpunim me qeverinë shqiptare, shteti shqiptar nuk ka patur asnjë rol tjetër veç atij që cekëm më lart. Detajet sipas gjasave, shpejt do të bëhen publike nga emisioni “Le Iene” në Itali.
Përtej rrahjes së gjoksit për meritat, sot është momenti të gëzohemi të gjithë sepse Alvini, për punë orësh, do të mund të përqafojë babain dhe motrat e tij në Itali, me shpresën e fillimit të një jete normale aty ku e kishte lënë para 5 viteve, para se të rrëmbehej nga e ëma për ta dërguar në Siri.
11 vjeçari shqiptar ka përjetuar tmerre, që vështirë ti shqiten lehtë nga mendja. Përveç rrëmbimit dhe vendosjes në moshën 6 vjeçare në një realitet totalisht të ndryshëm nga ai i Italisë, Alvini ka përjetuar disa trauma. E para është qëndrimi 5 vite larg familjes së tij të parë. E dyta është bërja pjesë e një familje të re, ku vetëm e ëma ishte e njohur për të. Ai pa dhe jetoi për pak kohë me dy fëmijë të tjerë, fëmijë të nënës së saj me një burrë nga rradhët e IS.IS. Më tragjikja duhet të jetë për Alvinin vetëm 11 vjeçar, ndarje e beftë nga e ëma dhe dy vëllezërit nga e ëma të paktën. Një shpërthim u mori jetën atyre, ndërsa la të lënduar në këmbë Alvinin.
Alvini ishte me fat! Me fat sepse lindi në Itali, me fat se familja e tij e parë jeton e respektuar në këtë vend. Me fat se një emision si “Le Iene” e bëri personazh kryesor duke ndërgjegjësuar italianët dhe institucionet italiane.
Festa duhet të zgjasë shumë për familjen e Alvin Berishës në Itali dhe në Shqipëri por duhet të zgjasë pak për shtetin shqiptar. Sot ministri Lleshaj tha se po mendohet për një korridor që edhe dhjetra fëmijë të tjerë si Alvini në Siri, të mund të kthehen pranë familjeve. Urojmë sa më shpejt të hapet ky korridor, edhe pse duket mjaft e vështirë. E vështirë, nisur nga rasti i Alvin Berishës. E më e vështirë, për ata fëmijë që nuk kanë lindur në Itali, nuk i kanë familjet atje dhe nuk bëhen publike përmes emisionit “Le Iene”. Pikërisht për ata fëmijë duhet të nisim të mendojmë, të lutemi… Për “Alvinët” e tjerë që mbase nga sot nisin të pyesin: Kur do të jetë rradha ime të përqafoj babain, nënën, gjyshin, gjyshen, vëllain, motrën… /Shënim i ShkodraWeb/